Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka mbijetuar votëbesimit të kërkuar nga vetë ai të shtunën, në Kuvendin e partisë, duke u konfirmuar me shumicë votash për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së.
Pas përfundimit të procesit, Abdixhiku ka bërë të ditur se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa qëndrimin e tij në krye të partisë e ka cilësuar si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së, për të cilin jam falënderues. Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme, por edhe për kundërshtimet gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave.
Ai ka njoftuar se Kuvendi ka miratuar dy deklarata politike: një për riorganizimin e brendshëm të LDK-së dhe një tjetër për gjendjen politike në Kosovë.
Sipas tij, përmes deklaratës së dytë, partia është zotuar për diskutime të hapura me të gjithë spektrin politik, me synim ofrimin e stabilitetit për të ardhmen e vendit.
Duke folur për hapat e ardhshëm, Abdixhiku theksoi se rimëkëmbja është drejtimi kryesor i partisë dhe ftoi të gjithë anëtarët, përfshirë edhe ata kritikë ndaj tij, që të bashkohen.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo nuk bëhet me ndarje në fitues e humbës, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. I ftoj të gjithë, edhe ata që nuk ishin të kënaqur me mua, të rreshtohen pas qëllimit të përbashkët”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se në Kuvend nuk është diskutuar për koalicione apo pozicione specifike, por për vlera orientuese dhe për rolin e LDK-së si parti që synon stabilitetin politik.
Ai bëri të ditur gjithashtu se edhe kryesia e re e partisë do të zgjidhet përmes procesit të njëjtë të votimit, sikurse kryetari.



Të tjera
Aktuale
Habit Xhafer Tahiri, mbështet Abdixhikun: Tani radha është për punë
Xhafer Tahiri, anëtar i Lidhjes Demokratike
Aktuale
Vjen dorëheqja e parë në LDK pas rizgjedhjes së Abdixhikut si kryetar
Hymete Bajrami ka bërë të ditur
Lajme
Pasi nuk iu dha mundesia të bëhet kryetar i LDK-së, Hoti ikë nga gazetarët
Në Kuvendin e Punës të