Takimi i 31 janarit mbahet nesër. Por, ngjarjet dramatike e kanë paraprirë gjithë atë që do të ndodh dhe nuk do të ndodh të nesërmen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kryeministri nuk është ftuar fare, sipas fjalëve të tij. E ndërkohë, udhëheqësit e institucioneve tjera kyçe kanë vendosur t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në takim.
Para disa ditësh u konfirmua se në takimin e organizuar nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë për të diskutuar modalitetet e themelimit të Asociacionit do të përfaqësohej edhe Presidentja Vjosa Osmani.
“Presidentja Osmani do ta dërgojë një përfaqësues të kabintetit të saj në këtë takim,” – kishte thënë këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Por, Nacionale ka mësuar që një përfaqësues në këtë takim do ta dërgojë edhe Kryetari i Kuvendi të Kosovës, z. Glauk Konjufca. Ky përfaqësues siç thanë burimet tona do të jetë hiç më pak se Shefi i Kabinetit të Konjufcës, z. Ilir Kërçeli.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje ka nisur një fushatë me gjuhë të ashpër kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një gjë e tillë ndodh pikërisht në kohën kur po pritet të mbahet ky takim, dhe pas kërkesave të përfocuara të zyrtarëve të lartë amerikanë. Gjatë ditës së sotme, nënsekretari Derek Chollet dhe përfaqësuesi i administratës Biden për Ballkan, Gabriel Escobar e botuan një editorial në të cilin tregonin se duhej themeluar Asociacioni dhe se për një gjë të tillë garantuese ishte ShBA-ja.
Nga Qeveria e Kosovës do të ketë po ashtu përfaqësues nga pakicat etnike, përfshirë zëvendës-kryeministren Emilija Redzepi dhe ministrin Nenad Rashiq por të cilët janë ftuar në mënyrë individuale. Ashtu siç është ftuar edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, edhe në cilësinë e kryetares së partisë Guxo. Kryeministri Kurti në anën tjetër ishte shprehur se nuk ishte ftuar fare në atë takim.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë.” – kishte thënë kryeministri Kurti para disa ditësh.
Nuk besohet që ftesë të kenë marrë as nga Vetëvendosje, marrë parasysh mosftesën për kryetarin e saj.
Nëse kjo shenjon një fazë të re operimi mes akterëve më të lartë shtetëror ose jo, mbetet të shihet muajve nëse jo edhe javëve apo ditëve në vijim. Deri tash, Konjufca e Osmani kishin mbështetur të gjitha pozicionet politike të kryeministrit të Kosovës.
Çka dihet tjetër?
Nacionale ka mësuar ditë më parë se në këtë takim do të jenë rreth 40 personalitete të larta të jetës publike në Kosovë.
Mes pjesëmarrësve – përveç të lartpërmendurve – do të ketë edhe liderë të organizatave të shoqërisë civile, si Naim Rashiti, Blerim Shala, Ismet Kryeziu e Agon Maliqi. Por, po ashtu do të ketë edhe pjesëmarrës nga Lista Serbe dhe minoritetet tjera, e edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.