Prokurori Armend Hamiti sot ka konfirmuar mbetjet mortore të gjetura në Novobërdë më 30 shtator i takonin biznesmenit kosovar, Bedri Rexhepi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai bëri të ditur se ka ngritur aktakuzë për vrasje në bashkëkryerje ndaj dy personave: Jeton dhe Nexhat Vllasaliu.
Pas kësaj ka reaguar familja e të ndjerit, vëllai, Adnan Rexhepi përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se drejtësia duhet të vijë në vend. Tutje ai ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet këtë të enjte.
Njoftimi i plotë:
Të dashur familjar, miq dhe dashamirë!
Shpresa e lutjet që ta gjenim të gjallë vëllaun tonë na mbajtën të fortë gjatë gjithë kësaj kohe, por ja që tani na u shua çdo shpresë!
Ne këto ditë që i kaluam dhe po i kalojmë, ju falenderojmë përzemërsisht të gjithë juve që në çfarëdo forme ishit bashkë me Ne, na qëndruat afër, ofruat ndihmën tuaj që dhimbjen e mërzinë ta ndajmë së bashku.
Tani e tutje lutja jonë e vetme është që shpirti i tij të pushoj në parajsë, e drejtësia të vijë në vendin e duhur!
Ju njoftojmë se varrimi i më të dashurit tonë Bedriut do të bëhet të enjten, 20 tetor 2022, në ora 13:00 ( Me namazin e Drekës ) në varrezat e qytetit në Shtime.
Me respekt,
Familja Rexhepi