Kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, është duke shqyrtuar intensivisht një izolim të mundshëm 3-javor pas rritjes së rasteve me Covid-19, tha të hënën zyra e tij.
Ideja është paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë e Sllovakisë dhe shefi i qeverisë sllovake ka thënë se mendimi i ekspertëve do të jetë kyç për çfarëdo vendimi, shkruan The Guardian,
Shteti i vogël i Evropës Qendrore është në mesin e vendeve me rritjen më të madhe të numrit të rasteve në botë për numër të banorëve, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit sllovak.
Në anën tjetër, shkalla e vaksinimit kundër Covid-19 në Sllovaki është më e ulët se shifra mesatare e Bashkimit Evropian. Ish-kryeministri sllovak, Robert Fico, publikisht e ka kundërshtuar përdorimin e maskave dhe ka marrë pjesë në protestat kundër masave për luftimin e pandemisë.
Vendimi i mundshëm për izolim do t’u ngjante masave të ashpra që tashmë i ka marrë fqinja e Sllovakisë, Austria.