Parlamenti gjerman do të shqyrtojë sërish në maj zgjatjen e mandatit për pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it.
Parlamenti gjerman do të diskutojë të enjten, më 11 maj 2023 mocionin e paraqitur nga qeveria gjermane për zgjatjen edhe me një vit të mandatit të stacionimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë.
Prej sot e deri më 10 maj, Trafiku Urban ndryshon rrjedhën e qarkullimit
Pas debatit prej 40 minutash, mocioni do t’u kalohet komisioneve përkatëse. Trupat gjermane janë përfshirë në misionin e KFOR-it që nga 12 qershori 1999, me hyrjen në fuqi të rezolutës 1244 të OKB-së.Të mërkurën, më 3 maj 2023, kabineti qeveritar i kancelarit Olaf Scholz mori vendimin përkatës për zgjatjen e mandatit.
Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës mbetet kryesisht e qetë dhe stabile, por tensionet e herëpashershme në pjesën veriore, si në fund të vitit 2022, e bëjnë të domosdoshme vazhdimin e mandatit, argumentoi zëdhënësi i qeverisë federale, Steffen Hebestreit, në konferencën e rregullt për media pas mbledhjes së kabinetit.
Sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane e sheh stabilizimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor me interes të madh gjeostrategjik, tha Hebestreit. Numri maksimal i ushtarëve gjermanë që mund të angazhohen në kuadër të KFOR-it gjatë 12 muajve të ardhshëm mbetet i pandryshuar, 400. Aktualisht në Kosovë janë stacionuar afro 70 anëtarë të Bundeswehr-it. Por mandati i jep mundësi ministrit të Brendshëm që ta rrisë këtë numër në rast nevoje.
Shpenzimet e Gjermanisë për angazhimin e ushtarëve të saj në KFOR pritet të arrijnë në rreth 6.1 milionë euro për dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Por kontributi i Gjermanisë në Kosovë është më i madh se kaq. Që nga viti 1999, ajo ka shpenzuar rreth 880 milionë euro për zhvillimin e Kosovës. Bashkëpunimi aktualisht është i fokusuar në fushat e energjisë, kanalizimeve, ekonomisë rrethore, arsimit dhe rritjes së qëndrueshme. Një projekt kryesor i bashkëpunimit zhvillimor është shndërrimi i kampit të Prizrenit në një park inovacioni dhe teknologjie./DW