Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë deklaruar se Task Forca Speciale Hetimore, e më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar, kanë marrë një sasi të panjohur por të konsiderueshme të provave përmes marrëdhënieve të tyre bashkëpunuese me Serbinë.
Ata synojnë të kundërshtojë prova të tilla, por thonë se zbulimi i ofruar për ta është i paplotë dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka treguar gatishmëri për të qenë transparente në lidhje me marrëdhëniet e saj me Serbinë.
E pyetur për bashkëpunimin me Serbinë, Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka përmendur Ligjin e Dhomave të Specializuara, duke thënë se ai e mundëson një gjë të tillë.
“Ligji, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës, parasheh që Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar mund të hyjnë në marrëveshje me shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe subjektet e tjera, me qëllim të përmbushjes së mandatit të tyre dhe, në veçanti, në lidhje me bashkëpunimin dhe çështjet gjyqësore”, ka thënë Trendafilova në një intervistë për Albanian Post, në qershor të 2022.
Dokumentari i titulluar “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post, sjell Nenin 4 të Ligjit për Dhomat e Specializuara – i cili thotë se për marrëveshje me një shtet të tretë lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, që përndryshe kërkon ratifikim sipas Nenit 18 të Kushtetutës, Dhomat e Specializuara duhet ta marrin pëlqimin e institucioneve të Kosovës.
“Para arritjes së ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare më një shtet të tretë lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, që përndryshe kërkon ratifikim sipas Nenit 18 të Kushtetutës, Dhomat e Specializuara do të marrin pëlqimin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në Nenin 4 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
E siç mësohet, as nuk është bërë kërkesë nga Dhomat e Specializuar, e as nuk është dhënë pëlqim nga institucionet e Kosovës, për ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë.
Nevenka Tromp, ish hulumtuese në Tribunalin e Hagës, duke folur në dokumentarin “Dosjet Speciale”, përmend një paradoks që lidhet me bashkëpunimin e Gjyaktës Speciale me Serbinë.
“Shikojeni mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Është shteti i Kosovës. Por, qëllojani çfarë? Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Pra, pse Serbia do të bashkëpunonte në emër të një shteti që nuk e njeh? Pra, menjëherë kjo përbën një moment alarmues”, thotë Tromp./Albanianpost