Dje PSD e ka gjuajtur me miell Ministrin e Financave nga radhët e Vetëvendosje në shenjë proteste që nuk i ka ekzekutuar pagat për 45 mijë të punësuar në sektorin publik. PSD është parti që ka dalë nga Vetëvendosje e cila realizon shpesh aksione të tilla të cilat sa ishin bashkë i kishin specialitet.
Në vitin 2015 Lëvizja Vetëvendosje në një aksion të e tyre e kishin sulmuar ish- ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin.
“Nuk mund të ketë rehati për një pushtet që e ka sjellë vendin në një gjendje të mjerë. Nuk mund të rrimë duarkryq përballë kërcënimit për ndarje etnike të vendit tonë dhe përballë faljes së territoreve të Kosovës. Nuk mund të bëhemi indiferent karshi sistemit të kapur të drejtësisë, i cili përndjekë deputetët opozitarë ndërsa bashkëpunon me krimin e me korrupsionin. Hajredin Kuçi që drejton Ministrinë e Drejtësisë, përveç që është ministër në një qeveri që po na e sjell ‘Zajednicën’ dhe po i fal territoret, është përgjegjës kryesor për sistemin e rrënuar të drejtësisë kosovare”, thuhej atë kohë në njoftimin e Vetëvendosjes, duke paralajmëruar se subjektet opozitare janë të vendosura dhe nuk do t’i ndalin aksionet e tyre, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.