Mund të kishte pritur kritika të ashpra nga opozita, por ministri ganez i Rinisë dhe Sportit, Mustapha Ussif, mori diçka më të rëndë në kuvend të hënën – grushte e shpulla.
Një përleshje masive shpërtheu mes deputetëve e zyrtarëve qeveritarë të hënën në mbrëmje në Kuvendin e Ganës përderisa po zhvillohej debati për një taksë ndaj transaksioneve elektronike, çështje që i ka përçarë ligjvënësit.
Taksa prej 1.75 për qind, e cila do t’i prekte pagesat e kryera përmes telefonit, është kundërshtuar ashpër nga opozita që nga muaji i kaluar, kur u propozua për herë të parë, dhe e ka mbajtur pezull miratimin e buxhetit kombëtar, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Deputetët vrapuan drejt foltores, pasi kryetari Alban Bagbin sugjeroi se taksa do të debatohet dhe do të votohet sipas një procedure të përshpejtuar. Disa sulmuan me grushte e shpulla, ndërsa të tjerët mundoheshin që t’i qetësonin personat gjaknxehtë.
Ministri i Financave, Ken Ofori-Artta, pretendon se taksa do të siguronte 1.15 miliard dollarë në të ardhura gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, ata që po e kundërshtojnë këtë masë thonë se ajo i prek në mënyrë të pabarabartë personat me të ardhura të ulëta dhe ata që janë jashtë sistemit formal bankar.