Për kontroll të 123 kilometrave vijë kufitare me Serbinë detyrat ndahen në stacionin policor për mbikëqyrjen e kufirit në Muqivërrcë të Kamenicës, e cila është komuna më lindore e Kosovës.
Pas rastit të Banjskës, është aktivizuar një dhomë komanduese, që ka përgjegjësi vetëm menaxhimin e zonës kufitare në lindje me Serbinë.
Duke mos pasur pika statike në këtë pjesë, ku dikur kazinotë e shumta sfidonin shtetin, policia kufitare është vazhdimisht në lëvizje.
Bashkë me dy polic shqiptarë,në Novosellë kufirin e Kosovës po e ruante edhe një polic nga komuniteti serb.
Situatë e qetë po paraqitej dje.
Incidentet në këtë zonë janë të rralla, por kontrabanda me mallra në brezin kufitar është e përditshme.
Brenda një orari punë qe zgjate 12 ore, patrullat kufitare arrijnë të menaxhojnë rreth 40 km kufi me veprime të ndryshme policore,me prita policore, pikat vëzhguese, kontaktet me qytetarë me qëllim që te parandalohet kontrabanda dhe të përcillen lëvizjet e dyshimta.
Në fshatin Muhovc të Bujanocit është pika e parë statike e policisë serbe.
Drejtori Rajonal i Policisë Kufitare për rajonin e lindjes, Rexhep Sijarina, i tha RTK-së se raste të kontrabandës parandalohen çdo ditë.
Sijarina thotë se vendosja e pikave statike të policisë do ta rriste nivelin e sigurisë,por edhe ndalimin e veprimeve ilegale në këtë rajon.
Incidentet që quan në rrënimin e objekteve të lojërave të fatit në Karaqevë, në shtator të vitit 2020, kanë bërë që Policia e Kosovës të zhvilloj aksione të vazhdueshme kundër kontrabandës me mallra, kontrabandës me kafshë dhe trafikimit me njerëz.