Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq patën dje ballafaqimin e parë pas takimit të Ohrit.
Të dy udhëheqësit miratuan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës ata zotohen për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.
Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit
Si pikë e dytë e rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Në këtë pikë palët nuk kanë arritur pajtim.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit tha se është pozitive miratimi i deklaratës për personat e zhdukur.
“Ne e dimë që janë edhe mbi 1617 të pagjetur. Të familjet e tyre zemërimi dhe ankthi është shumë i madh”, tha Kurti.
Por, Kurti tha se draft-statuti për Asociacionin i paraqitur nga Ekipi Menaxhues “është fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.
Ai tha se ky draft dëshmon dëshirën për “Republika Srbska” në Kosovë.
“Ky draft-statut është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën tonë dhe të drejtat e pakicave. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe unë propozova një draft vizion me 11 pika përkitazi me nenin 7 se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, korniza që rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, pakicave”, tha Kurti.
Aty Kurti tha se ka prezantuar vizionin e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Kreu i Qeverisë thotë se ky draft do të duhej të merret parasysh nga ndërmjetësuesit.
“Në vizionin e propozuar nga unë nuk kam përmendur vetëm Kushtetutën e Kosovës por edhe letrën e zonjës Mogerini që i kishte deklaruar në vitin 2015 ish-kryeministrit të Kosovës se nuk bënë të ketë nivel të tretë të pushtetit ekzekutiv”, shtoi ai.
Kurti thotë se ky draft-vizion i propozuar nga ai nuk diskriminon askënd.
“Draft-vizioni i propozuar nga unë bazohet në vlera evropiane për trajtimin e komuniteteve”.
Kryeministri thotë se u kujtoi ndërmjetësve shkeljet që Serbia i ka bërë Marrëveshjes bazë në 8 pika.
”Nga 11 nene të marrëveshjes bazë, 8 prej tyre i ka shkelur Beogradi zyrtar”.
Kryeministri tha se po ashtu ka dorëzuar një dokument me deklarata të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas Kurtit, nuk është pajtuar me Marrëveshjen bazë si propozim evropian dhe se si nuk do ta zbatojë në tërësi.
Në anën tjetër, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.
“Palët ndërmorën një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sot ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës prezantoi draftin e parë, jo draftin përfundimtar, por është një pikënisje. Kjo është në përputhje me nenin shtatë, është një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes. Unë i gëzohem faktit që ky draft u vendos në tavolinë”, deklaroi Borrell në konferencë për media.
Sipas tij, Kurti dhe Vuçiq kishin pikëpamje shumë të ndryshme lidhur me natyrën e Asociacionit, që Borrell tha se e priste.
“Kurti ndau pikëpamjet e veta, dhe, siç pritej, pikëpamjet mes palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij asociacioni. Isha i sigurt se palët kishin pikëpamje të ndryshme për natyrën e tij. Por ata ranë dakord që të nisin diskutimet në një të ardhme të afërt, duke e marrë këtë draft si pikënisje të diskutimit”.
“Dëshiroj t’i nxis palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Procesi duhet të udhëhiqet nga marrëveshjet dhe modelet e kaluara të dialogut”.
Borrell theksoi se për formimin e Asociacionit do të merren parasysh modelet ekzistuese nëpër Evropë, dhe se BE do të ndërmjetësojë të gjithë procesin./Botapress.info/
Deklarata “konfuze” për të pagjeturit
Deklarata për të Zhdukurit e miratuar mbrëmë në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e kryeshefit të BE’së Josep Borrell, ka ngjallur shumë shqetësim në Kosovë.
Sipas shumë interpretimeve, kjo deklaratë “amniston” Serbinë nga ndonjë padi e mundshme për gjenocid për krime lufte në Kosovë, bazuar në terminologjinë e përdorur në versionin zyrtar të deklaratës, në anglisht, për referimin e “personave të zhdukur me forcë”, krahasuar me terminologjinë e përdorur, po ashtu në anglisht, në Konventën Ndërkombëtare Për Mbrojtjen e Të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, sikurse edhe krahasuar me Deklaratën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Personat e Zhdukur, të cilës i referohet vetë deklarata e 2 majit në Bruksel.
Terminologjia e përdorur në deklaratën e miratuar nga Kurti e Vuciq, dallon nga ajo që OKB’ja trajton çështjen e të zhdukurve Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.
Në deklaratën për të Zhdukurit, e publikuar zyrtarisht nga BE’ja, terminologjia e përdorur në anglisht krahas termit për personat e zhdukur, “missing persons” (ang.), – që përfshin zhdukjen e detyruar dhe mbulon gjithashtu situata që variojnë nga rastet e zhdukjes të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore deri te rastet e zhdukjes që përbëjnë krim kundër njerëzimit -, del të jetë “forcibly disappeared” (ang.), ndryshe nga terminologjia “Enforced Disappearance” e përdorur edhe në Deklaratën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) për Personat e Zhdukur, deklaratë të cilën në dokumenti i 2 Majit 2023 thekson se ka parasysh.
Në deklaratën e miratuar nga Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb, personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë përkufizohen në anglisht me termin “forcibly disappeared”. Derisa në deklaratën e Kryqit të Kuq të cilën e përmend deklarata e 2 Majit, sikurse edhe Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, për të zhdukurit me dhunë, përdoret termi “Enforced Disappearance”, krahas “missing persons”.
Ish-kryesuesi i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se “është tmerruar” kur e ka parë Deklaratën për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Hasani thotë se ajo ka dy probleme në dokumentin e nënshkruar. E para është se Kosova barazohet me Serbinë, ndërsa e dyta është se Kosova nuk ka ekzistuar si shtet para 2008-ës dhe nuk mund të marrë përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur.
“Ajo deklaratë është mirë së pari që është bërë dhe duhet të përshëndetet pasi bëhet fjalë për një plagë që po na shoqëron që disa vite pa llogaritur vuajtjet individuale. Por në aspektin ndërshtetëror ajo deklaratë ka dy defekte jashtëzakonisht serioze pasi më ka çudit nga ata që eventualisht mund ta këshillojnë Kurtin, po flas për vendorët jo për ndërkombëtarët”, tha ai.
“Ajo që quhet zhdukje me forcë, po e shoh që menjëherë ka filluar barazimi me gjuhën shqipe. Me këtë është larguar çdo përgjegjësi e shtetit serb për këtë kategori të personave. E dyta, do të thotë, është çështja palët që i kanë në posedim provat e tyre. Kjo është e pakuptimtë. Kosova është ndërtuar si shtet, siç thotë një studiues britanik, në natën e 17 shkurtit 2008. Deri atëherë në Kosovë ka ekzistuar administrata e UNMIK-ut. Si mund të jep përgjegjësi Kosova për një periudhë kur nuk ka ekzistuar”, shtoi Hasani.
Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se është prerë shpresa për të gjithë familjarët e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
Haziri tha se nuk ishte zgjidhja e duhur që kjo çështje të trajtohet në të njëjtën ditë me draft-statutin e Asociacionit.
“Sot është prerë shpresa për familjarët e të zhdukurve. Është prerë sepse kjo marrëdhënie do të jetë e kushtëzuar. Në takimin e sotëm nuk ka pasur pritje më shumë, përkundër krejt zhvillimeve, deklarata e të pagjeturve me dhunë u pranua nga palët. Fatkeqësisht, u humb një vit kohë për kërkesë që të përfshihet terminologjia sipas Konventës Ndërkombëtare që personat e zhdukur me dhunë të jenë pjesë e marrëveshjes, mirëpo nuk u arrit. Si e tillë, mund të themi që është humbje kohe dhe është zgjedhur ditë e keqe që kjo marrëveshje të jetë në të njëjtën ditë me draft-statutin e Asociacionit. Kosova edhe një herë nuk arriti ta vendosë terminologjinë e kërkuar që pati zotime në Prishtinë nga kryeministri, Albin Kurti. Në anën tjetër, draft-statuti si i tillë është prezantuar, natyrisht që dokumenti si i tillë nuk është pranuar”, deklaroi Haziri në emisionin Info Nata.
Madje sipas tij, Haziri vlerësoi se Kosova do ta ketë problem serioz ofrimin e dëshmive eventuale për ato raste që Serbia do të vazhdojë t’i mbajë peng.“Dashtë Zoti që të gjitha ata të zhdukur me dhunë së paku të gjenden informacionet dhe të dhënat që Serbia i mban peng. Serbia i ka të gjitha llojet e shërbimeve për rastet që kanë ndodhur në Kosovë”, shtoi tutje Haziri.
Edhe sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një gabim ahistorik.
“Sot ishte përvjetori i masakrës në Studime, ku 116 civil të pambrojtur, gra e burra, pleq e fëmijë, u vranë brutalisht nga aparati shtetëror i Serbisë. Po sot, Kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo shprehet se është shqetësuese se si bëhet barazimi palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit, të cilat prova gjoja gjenden nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve.
“Kjo Deklaratë përfundimisht e liron Serbinë nga përgjegjësia ndërkombëtare për zhdukjen me dhunë të individëve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) kurse Kosovën e gjuan në rolin e palës që ka kryer krime në mënyrë institucionale, njëjtë sikur Serbia. Skandaloze”, përfundoi ajo./Botapress.info/