Shtatë vjet e 4 muaj e 28 ditë. Kaq kohë morën tentimet e drejtësisë kosovare për ta zbardhur rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. 24-vjeçarja nga fshati Strellc i Ulët i Deçanit u vra më 9 nëntor, 2015, me dy plumba në kokë.
Edhe 2.705 ditë nga vrasja e saj, vrasësi është ende i lirë dhe i panjohur për organet e drejtësisë.
Për 38 ditë në vitin 2015, familja Pajazitaj nuk dinte asgjë për Donjetën, derisa trupi i saj u gjet i dekompozuar në Bjeshkën e Strellcit. Pak ditë më vonë, familjarët morën vesh se i dyshuar kryesor për vrasjen e saj ishte kushëriri i afërt i tyre, Naser Pajazitaj, atëherë 60 vjeç.
Pas 10 vendimeve gjyqësore, ku herë u shpall i pafajshëm e herë u dënua me burgim të përjetshëm, Naser Pajazitaj u lirua nga të gjitha akuzat më 6 prill, 2023. Ai doli nga burgu dhe shkoi në shtëpi.
Për herë të fundit, Donjeta ishte parë jo shumë larg lagjes ku jetonte edhe ajo, edhe Naser Pajazitaj.
Çka thuhej në aktakuzë?
Në aktakuzë thuhej se Naser Pajazitaj, më 9 nëntor të vitit 2015, e kishte marrë kushërirën e tij, Donjetën, pak metra larg shtëpisë së saj me veturë. Më pas, thuhej se ai e kishte çuar 24-vjeçaren disa kilometra më larg, ku e kishte vrarë me dy plumba në kokë. Ai akuzohej se e kishte mbuluar trupin e Donjetës me drunj dhe kishte ikur nga vendi i krimit.
Hetimet dhe gjykimi janë fokusuar kryesisht rreth alibisë së Pajazitajt, deklaratave të dëshmitarëve, të cilët dyshohet se kishin parë apo kontaktuar atë dhe gjurmimit të bisedave dhe thirrjeve telefonike. Prokuroria kishte konstatuar se pretendimet e Pajazitajt, në disa raste, nuk përputheshin me provat e siguruara.
Një ndër argumentet kryesore të Prokurorisë ishte se alibia e të akuzuarit nuk qëndronte, pasi që të dhënat e marra nga një antenë, tregonin se nga telefoni i të akuzuarit ishte bërë një thirrje në afërsi të vendit të krimit gjatë kohës që ai thoshte se kishte qenë diku tjetër./Botapress.info/