Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kritikuar deputetët e pozitës, të cilët nuk votuan pro futjes në rend të ditës mocionin urgjent procedural për debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka thënë se deputetët e pozitës duhet ta kuptojnë se s’ka gjë më të rëndësishme se sa diskutimi për shtrenjtimin e rrymës.
Ai ka thënë se nuk e di se si qytetarët do të përballojnë trendin e shtrejntimeve të produkteve dhe shërbimeve bazike jetësore.
“E pakuptueshme qasja e deputeteve te Kuvendit të Kosovës në raport me interesat e qytetarëve të Kosovës. Deputetët e pozitës duhet ta kuptojnë se ska gjë më të rëndësishme se sa diskutimi për një problem të madh që iu shkaktohet qytetarëve siç është shtrenjtimi i rrymës. Qytetarët janë ata që e mbushin buxhetin e Kosovës me kontributet dhe taksat tyre dhe para tyre duhet të japin llogari këta deputet. I lig dhe i pa përgjegjëshem është veprimi i tyre sot se si iu shmangën debatit për shtrenjtimin e energjisë. Qytetarët do të iritohen shumë kur në fund të muajit faturat të cilat so tu vijnë do të jenë të papërballueshme. Nuk di si qytetarët do të përballojnë trendin e shtrejtimeve të produkteve dhe shërbimeve bazike jetësore???😡😡😡”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë lëshua sallën e Kuvendit të Kosovës pasi s’pati kuorum për ta futur në rend dite si mocion urgjent procedural për debat parlamentar, shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas propozimit të opozitës, kjo çështje do të vendosej si pikë e parë dhe pastaj të dilej me rezolutë të përbashkët për revokimin e vendimit të ZRRE-së.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca njoftoi se s’ka pasur kuorum për votimin e këtij mocioni.
“36 deputetë kanë votuar vetëm”, ka thënë Konjufca.
Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar sot vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë. ZRrE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat. Propozimi ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave dhe është miratuar në mënyrë unanime.