Presidentja Vjosa Osmani ka folur në ceremoninë për përkujtimin e Masakrës së Reçakut, duke thënë se krimet e kryera në Recak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët.
“Krimet monstruoze shërbyen si një moment i kthesës historike, jo vetëm ngase aty mizoria e Millosheviqit ndaj civilëve shqiptarë mori trajtën më çnjerëzore, por edhe ngaqë shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Ky moment kthese lidhej edhe me një emër e një njeri, ambasadori William Walker, i cili edhe sot, njësoj si në vitin 99 e çdo vit pas tij, është këtu bashkë me banorët e Reçakut, bashkë me familjen e bashkë me të gjithë Kosovës”, tha Osmani.
Ajo tha më tej se krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për atë që po ndodh në Kosovë.
“Krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët, duke e bërë të pashmangshme ndërhyrjen e botës demokratike për të ndalur këtë makineri vrastare. Kodra e Bebushit u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane”, u shpreh presidentja./Botapress.info/