Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përveç takimeve bilaterale, Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.
Ndryshe, këtë fundjavë, e gjithë vëmendja do të jetë e drejtuar nga jugu i Gjermanisë, ku liderët botërorë do të mblidhen në hotelin Bayerischer Hof për Konferencën treditore të Sigurisë në Munih.
Dhe përderisa do të ketë bollëk deklaratash zyrtare dhe diskutimesh në nivele të larta, ato që cilësohen si bisedimet më të rëndësishme – për të ardhmen e Ukrainës – do të zhvillohen në prapaskenë.
Shumë nga diskutimet e ditëve të fundit lidhur me konferencën janë përqendruar tek ajo se a do ta paraqesë një plan paqeje të shumëpritur i dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg.
Kellogg i tha agjencisë AP se Shtëpia e Bardhë po merret me detajet e çdo negociate të mundshme.
“Kur të kthehemi nga Munihu, duam t’ia dorëzojmë presidentit opsionet, në mënyrë që kur ai të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes, ta dijë se si do të duket kjo gjë për të”, tha Kellogg.
Përtej Ukrainës, shumë liderë në Munih do ta kenë vëmendjen e tyre në Gazë, pasi afati për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi përfundon në mesditën e 15 shkurtit – pikërisht në mes të konferencës.
Trumpi ka paralajmëruar më parë se “të gjitha opsionet janë të hapura dhe le të shpërthejë ferri” nëse ato nuk lirohen.