PDK-ja dhe LDK-ja po kopjojnë diçka nga opozitarizmi i VV-së, kurse kjo e fundit po kopjon qeverisjet e dy partive të para. Zyrtarët e këtyre partive nuk e pranojnë, por veprimet e tyre tregojnë se këto kopjime ekzistojnë.
Aksionet simbolike, videot dhe kritika e ashpër ishin ndër elementet kryesore që kanë karakterizuar opozitarizmin e gjatë të Lëvizjes Vetëvendosje. Tani këto metoda duket se kanë filluar t`i përvetëson opozita aktuale. Tri partitë opozitare, veçanërisht gjatë muajit të parë të këtij viti kanë shtuar aktivitet e tyre opozitar. Përmes aksioneve të ndryshme simbolike dhe videove të postuara në rrjetet sociale kanë kritikuar veprimet e Qeverisë Kurti. Edhe kjo e fundit ka “kopjuar” diçka nga partitë e tjera. Qeveria Kurti çdo ditë e më shumë po i ngjan qeverive të mëhershme të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Ndonëse këto qeveria kishte kritikuar për fenomene të shumta negative, gjatë këtyre dy vite qeverisja e Vetëvendosjes është karakterizuar me të gjitha ato fenomene. Punësimet e familjarëve nëpër institucionet publike, kapja e institucioneve të pavarura, afera korruptive, mosmbajtja e premtimeve, mosshkarkimi i ministrave që kanë probleme me ligjin, mungesa e perspektivës ekonomike, largimi i vazhdueshëm i të rinjve nga Kosova janë dëshmi e mjaftueshme se Qeveria Kurti nuk po ndryshon nga qeveritë e mëhershme, të cilat VV i quan si “regjim i vjetër”
Aksionet dhe videot e opozitës
Forume të caktuara të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë aktivizuar këtë vit. Gjatë muajit të parë të vitit 2023 janë të treguar më të ashpra në kritiken e tyre.
Më aktivja në këtë drejtim ka qenë PDK-ja. Kjo parti ka vazhduar ta kritikoj qeverinë për mosshkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një aferë rajonale financiare. Fillimisht, kjo parti ka postuar një video “Çka ka Albini – kallëzon Martini”, në të cilën përmblidhet historiku i aferës milionëshe e ambasadorit Berishaj.
Më pas, aktivistët e Rinisë Demokratike të Kosovës kanë organizuar një aksion “Alla VV”, duke mbuluar me dinarë të printuar të Serbisë ambasadorin e Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, teksa ky po merrte pjesë në një aktivitet në Prishtinë.
Ky veprim ishte bërë në shenjë proteste për aferën e madhe financiare që Berishaj është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN-I me seli në Beograd.
Komunikata që kjo parti kishte lëshuar për arrestimin e aktivistit të tyre ngjante shumë me gjuhen e dikurshme të VV-së kur kërkonte lirimin e aktivistëve. “Njëkohësisht, duke dënuar trajtimin jo demokratik dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes të Policisë gjatë arrestimit të aktivistit tonë Milot Krasniqi, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij!“, thuhej në komunikatën e PDK-së.
Edhe Forumi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është shquar me video dhe aksione simbolike. Javën e kaluar, të rinjtë e LDK-së kanë vendosur në objekt të Qeverisë së Kosovës afishe ku kanë njoftuar publikun se kanë ‘vdekur’ të gjitha kauzat e Kurtit dhe të Lëvizjes Vetëvendosje me të cilat ata kanë ardhur në pushtet.
Po ashtu, ky forum iu ka përgjigjur me një video VV-së.
Në videon “Kurti po na kushton”, kjo parti ka treguar për rritjen e çmimeve që po ndodhin gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
Në këtë drejtim, mbrapa nuk ka mbetur as partia e tretë opozitare, AAK.
Kjo partia përmes një video të titulluar “Historia e një familje të privilegjuar”, ka treguar për punësimet e familjarëve të zyrtarëve të lartë të VV-së që janë punësuar nëpër institucione shtetërore.
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se me këto veprime opozita po mundohet ta kopjon VV-në.
“LDK sot e PDK dje po bëjnë gara me PSD çfarë “aksioni simbolik” kryejnë. Problemi është që çkado që bëjnë ato i ka bërë më herët Lëvizja VETËVENDOSJE! veçse Lëvizja edhe me përmbatje, këta veç me formë. Xhepat plot me para nga shitja e vetes dhe e çdo parimi, nuk të lejojnë shumë kreativitet dhe kundërshti”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Qeverisja e VV-së “kopjon” të metat e “regjimit të vjetër”
Lëvizje Vetëvendosje kishte ardhur në pushtet me synimin se do të ofronte një qeverisje krejt tjetër nga qeveritë e kaluara. Në dy vitet e para të mandatit nuk ka bërë ndonjë dallim të madh. Gjatë kësaj kohe edhe kjo parti ka mbushur me punësime familjare dhe partiake bordet e ndërmarrjeve publike dhe pozicionet kyçe të administratës shtetërore. Të martën, aktivisti i kësaj partie, Rilind Gërvalla është zgjedhur drejtor televizionit publik.
Në gjithë opozitarizmi e saj VV-ja kishte kritikuar qeveritë e kaluar për ndikime direkte në RTK, dhe tani po e bën të njëjtën gjë.
Sikurse në qeveritë e kaluara, edhe në Qeverinë Kurti po mbahen në pozicione të larta shtetërore njerëz që kanë probleme me ligjin. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ndonëse është e dënuar nga gjykata për mosdeklarim të pasurisë vazhdon të jetë në pozitë, sikurse vazhdon të ushtroj detyrën e saj Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbëria Nagavci, e cila ka shkelur Kushteutën. Ndërsa, vazhdon të mbrohet ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet për përfshirje në një afër milionëshe të shpëlarjeve të parasë. Pavarësisht se ambasadorit Berishaj deri me tani i janë ngritur dy kallëzime penale, ai nuk shkarkohet nga kryeministri Albin Kuriti.
Kryeministri Kurti nuk ka ndërmarr asnjë veprim as ndaj zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji, i cili dyshohet se është përfshirë në aferë ryshfeti. Ndonëse ai dëgjohet në audio-incizimin duke i kërkuar ryshfet një qytetari, Veliji ende vazhdon të jetë në pozitën e tij.
Kjo qeveria dhe Kryeministri Kurti kanë bërë një hap prapa krahasuar me qeveritë pararendëse, edhe sa përket transparencës në procesin e dialogut me Kosovë-Serbie. Përderisa procesi gjendet në një fazë mjaft delikate, qytetarët e Kosovës janë të pa informuar mbi përmbajtjen e takimeve të ndërlidhura me dialogun dhe dakordimet eventuale lidhur me këtë proces. Deri me tani ai i ka injoruar thirrjet për transparencë në këtë proces.