Nuk ka kuorum për votimin e Raportit me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare Ndërsa, kryekuvendari Glauk Konjufca u ka uruar pushime të mira, deputetëve të opozitës.
“Kalofshi mirë, pushime të këndshme”, u ka thënë Konjufca deputetëve të PDK-së.Tahiri kërkon masa shtesë për ta luftuar pandeminë COVID-19
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa shtesë për ta luftuar pandeminë COVID-19.
Ai tha se tashmë kur janë rritur rastet pozitive me COVID-19, institucionet duhet të kenë një angazhim më të madh për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve por edhe institucioneve shëndetësore.
Megjithëkëtë, Tahiri ka ftuar edhe qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e tyre.
Tahiri: Java tjetër ta zërë Republikën e Kosovës me masa shtesë
“Të kenë një angazhim më të madh, java tjetër ta zërë Republikën e Kosovës me masa shtesë, ta zërë me angazhim më të madh qeveritar në mbarë vendin. Pra, edhe një herë të nderuar qeveritar përkujdesuni më shumë për shëndetin e qytetarëve tanë, përkujdesuni më shumë për shëndetin e atyre të cilët janë në moshë më të shtuar dhe po ashtu përkujdesuni më shumë që qytetarët tanë të jenë sa më shumë të vaksinuar”, tha ai.
Tahiri tha se duhet një angazhim më i madh edhe i Ministrisë së Shëndetësisë(MSh) që të fuqizohen spitalet rajonale.
Tahiri: E shohim që kemi një çalim në zonat rurale të vaksinimit
“Sot na duhet një angazhim më i madh se kurrë i ministrit të Shëndetësisë në fuqizimin e spitaleve rajonale, në përkrahje të spitaleve rajonale dhe në përkrahje të QKUK-së. Prandaj, si deputetë të opozitës i bëjmë thirrje qeverisë, sepse është organi më i rëndësishëm në këtë vend dhe në këtë rast jep ndihmën më të madhe në ballafaqim me COVID-19 në raport edhe me stafin tonë shëndetësor. Njëkohësisht i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i dëgjojnë këshillat e stafit profesionist shëndetësor që të vaksinohen, sepse e vetmja mënyrë, e vetmja formë që të kalojmë më lehtë këtë sfidë në këtë periudhë mjaftë të rëndë që duket që do të rendohet çdo ditë e më shumë është vetëm nëse vaksinohemi. E shohim që kemi një çalim në zonat rurale të vaksinimit siç e kam theksuar edhe herën e kaluar”, tha ai.
Në fjalën e tij, deputeti Tahiri ka kërkuar edhe nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të dalë me plan konkret se nëse do të mbyllet vendi nga shtatori të përgatiten për mësimin online.
Miratohen rekomandimet lidhur me problemet e evidentuara në NP KOSTT Sh.A.
Me 64 vota për, 15 kundër Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet lidhur me problemet e evidentuara në NP KOSTT Sh.A, të propozuara nga Komisioni për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Nënkryetarja e komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, ka prezantuar rekomandimet ku ndër to ishte që ZKA të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A më së largu deri më 30 shtator 2021.
Statovci: ZKA të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes më së largu deri më 30 shtator 2021
“ZKA të bëjë auditim të menjëhershëm të të gjitha vendimeve nga 1 janar 2015 të cilat kanë të bëjnë me dhënien e pëlqimeve për ndërtim, shfrytëzim të pronës të ndërmarrjes publike KOSTT nga palët e tjera, si dhe projekte që kanë të bëjnë me investime kapitale. Nën dy, ZKA të bëjë auditim të performancës së ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A më së largu deri më 30 shtator 2021 me fokus në vendimet në lidhje me strukturën e brendshme organizative. ZKA të auditojë të gjitha marrëveshjet për blerje të energjisë së prodhuar në mes të ndërmarrjes publike KOSTT Sh.A dhe kompanive që operojnë me burime të ripërtëritshme lidhur me pagesat tarifat nxitëse”, tha ajo.
Mbështetje këtyre rekomandimeve i ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje, ku deputeti i kësaj partie Armend Muja, tha se viteve të fundit nuk ka pasur asnjë përditësim sa i përket nivelit të humbjeve nga ndërmarrja.
Muja: Shkalla e investimeve në riparime është po ashtu e vogël
“Kërkon një shpjegim sa i përket humbjeve, viteve të fundit nuk ka pasur asnjë përditësim sa i përket nivelit të humbjeve nga ndërmarrja, humbje teknike ose komerciale nga ndërmarrja KOSTT. Një mënyrë për minimizimin e humbjeve janë investimet kapitale ose investimet në riparime, investimet kapitale siç janë aprovuar nga ZRRE në fakt ato nuk janë implementuar, shkalla e implementimit është nën 50 përqind, shkalla e investimeve në riparime është po ashtu e vogël, do të thotë nga 7.5 milionë të alokuara në 5 vitet e fundit vetëm 4.5 prej tyre janë zbatuar. Ne mendojmë që kjo ka shkaktuar një vazhdimësi të humbjeve dhe humbjet që vlerësohet të jenë rreth 5 milionë arsye pse ka relevancë është sepse ato barten në faturat e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, ka akuzuar pozitën se në mbledhjen kur ka raportuar menaxhmenti i KOSTT kanë larguar mediat nga ajo mbledhje. Ajo tha se deputetët e pozitës janë sjell me arrogancë ndaj Bordit të KOSTT-it, derisa theksoi se sjellja e tyre ka qenë sikurse të ishin prokuror dhe gjyqtarë.
Bunjaku: Synimi i pozitës ishte që të mbyllet çdo informacion nga publiku
“Synimi i pozitës ishte që të mbyllet çdo informacion nga publiku i gjerë, kështu që mbledhja ishte tendencioze apo ju nuk donit që qytetarët t’iu shohin juve se si silleni me arrogancë. Në asnjë mënyrë nuk ka pasur nevojë që të mbyllet mbledhja e komisionit, sepse në dokumentet të cilat na janë adresuar neve deputetëve nuk ka pasur asgjë konfidenciale, bile bile vet personalisht kam kërkuar dhe do të ishte e rrugës që mbledhja të mbahet me dyer të hapura dhe para mediave, para deputetëve edhe para gjithë opinionit sepse Bordi me gjithë profesionalizëm u përgjigj pyetjeve të deputetëve. Sjellja e deputetëve të pozitës ishte përtej gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, madje edhe më keq”, tha ajo.
Deputetët me 82 vota për e miratuan edhe raportim me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili më herët dështoi të miratohet në mungesë të kuorumit në vendimmarrje.
Në këtë seancë, është formuar edhe Organi Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Situata me COVID-19 është alarmante, Zemaj ka një kërkesë për Qeverinë
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se situata me pandeminë COVID-19 në vend është alarmante.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë sa ishin në opozitë karshi menaxhimit të pandemisë që atë kohë ishte LDK në pozitë.
“Në vazhdimësi kemi insistuat dhe kemi shprehur gatishmërinë që të japim kontribut në vlerësimin e situatën e pandemisë. Nuk do ta përdorim sot shprehjen e vdekjeve nga COVID-19 ashtu siç e përdorshit ju vrasje, është tepër e ultë. Por as rritjen e numrit të rasteve ta përdorim si katastrofë humanitare. Rritja enorme brenda javëve, situata është alarmante dhe mund të përkthehet në humbje të jetës së njerëzve”, ka thënë Zemaj.
Ai ka kërkuar nga Qeveria t’i kthehet realitetit e jo krahasimeve e etiketimeve.
“Në emër të LDK-së ju ftojmë ti riktheheni punës, deri në eliminimin e kësaj situate”, ka thënë Zemaj.
Tahiri i bën thirrje Qeverisë të japë ndihmë më të madhe në ballafaqimin me COVID-19
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje Qeverisë të japë ndihmë më të madhe në ballafaqimin me COVID-19, pasi sipas tij kjo gjë nuk po ndodhë.
“I bëj thirrje qeverisë që të mos veprojë si këtë javë që pavarësisht thirrjeve të qytetarëve, të deputetëve, nuk duket që kanë marrë masa më konkrete”, tha Tahiri në seancën e sotme.
Tutje Tahiri tha se mjekëve iu duhet ndihma e qeverisë dhe e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Na duhet angazhim më i madh se kurrë i Ministrit të Shëndetësisë në fuqizimin e përkrahjes së spitaleve rajonale. I bëj thirrje qeverisë të japë ndihmë më të madhe në ballafaqimin me COVID-19”.
Deputeti i PDK-së, poashtu iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, sepse siç tha ai, kjo është e vetmja mënyrë që të kalohet kjo sfidë.
“Iu bëj thirrje qytetarëve që të dëgjojnë këshillat e stafit mjekësor, që të vaksinohen, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ta kalojmë këtë sfidë, vetëm nëse do të vaksinohen”.
Kusari-Lila hedh poshtë teoritë konspirative për vaksinim, fton të gjithë të vaksinohen
Shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka hedhur poshtë të gjitha teoritë konspirative për vaksinimin kundër COVID-19.
“Statistikat e ditëve të fundit në përgjithësi dhe ato të ditës së djeshme në veçanti shënojnë zilen e alarmit për të gjithë ne, për institucionet dhe masat e reja që duhet dhe mund të merren për ta parandaluar shpërndarjen e virusit COVID-19. I vetmi parandalim për të mos shkuar në masa të reja më rigoroze dhe mbyllje tjetër është vaksinimi. Më ka rastisur të dëgjoj ditëve të fundit shumë teori konspirative, fatkeqësisht disa prej tyre të shpërndara edhe përmes atyre që duhet t’i ndalin ato”.
“Vaksinimi nuk ndalohet për persona me probleme të ndryshme shëndetësore, qofshin ato të sistemit imunitar, pagjakësi apo të ngjashme. Përkundrazi vaksinimi rekomandohet te kjo kategori e cila nëse ballafaqohet me infeksion do të ketë pasoja fatale. Vaksinimi s’ndalohet për personat që udhëtojnë me aeroplan, përkundrazi rekomandohet. Para udhëtimit shkoni dhe vaksinohuni të paktën me dozën e parë dhe kur të ktheheni në Kosovë merreni edhe dozën e dytë. Vaksinimi nuk ndalohet për gratë shtatzënë, përpos në raste shumë specifike dhe të rralla. Gratë shtatzënë janë shumë më të ndjeshme nëse infektohen me virus, vaksinimi mbron nënë dhe foshnjën e palindur nga virusi. Vaksinimi nuk lë pasoja, infektimi po. Vaksina stimulon sistemin tuaj imunitar për t’u mbrojtur nga virusi dhe ky proces mund të shkaktojë efekte anësore si ethe apo të dridhura, por jo të gjithë e përjetojnë këtë”.
Ajo ka apeluar të të gjithë kolegët e saj deputetë, udhëheqësit në nivel lokal dhe qendror, kryetarëve të komunave, krerëve të bashkësive fetare në Kosovë si dhe mësimdhënësve që të promovojnë dhe inkurajojnë vaksinimin si të vetmen formë parandaluese për shpërndarjen e virusit.
Konjufca kërkon unitet politik për zbatimin e MSA-së
Është konstituar Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA), konstituimi i të cilit u tha se është shtyrë shumë. Ndërsa u potencua edhe ngadalësia e zbatimit të MSA-së.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se tash nevojitet një shpejtësi krejtësisht e re për zbatimin e MSA-së, pasi deri më tash ky proces ka qenë mjaft i ngadalshëm.
Konjufca kërkoi unitet politik në këtë drejtim, pasi siç tha ai, kjo nuk është një garë politike, por nevojë që Kosova të bëjë hapa sa më të shpejt drejt integrimit evropian.
Kryeparlamentari Konjufca tha po ashtu se parlamenti do të mbikëqyrë gjithmonë pakot e reformave, meqë janë të një rëndësie të madhe për vendin.
“Implementimi i këtij procesi nuk është i njëanshëm, por është një ndër proceset më të rëndësishme që ne realizojmë bashkë me Bashkimin Evropian. Mund të konkludojmë që deri më tash zbatimi ka qenë mjaft i ngadalshëm dhe ka nevojë për shpejtësi”, tha ai.
Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se në përbërje të këtij komisioni janë 13 deputetë, dhe se të gjithë janë zëvendësanëtarët.
Takimi i radhës i këtij komisioni është paraparë të mbahet në nëntor.Me marrjen e Presidencës së Sllovenisë janë paraparë 4 shtylla të prioriteteve.
Nënkryetari i këtij komisioni, Elmi Reçica tha se “Për shkak të rrethanave është pak i vonuar konstituimi i këtij komisioni, por do të jemi ata që do të shtyjmë punët përpara”.
Deputeti Besnik Tahiri tha se Kosova duhet të tregojë seriozitet në zbatimin e MSA-së.
“Ne duhet të dakordohemi se a do ta bëjmë këtë komision funksional, cili do të jetë roli ynë[…]Kërkoj me tregu seriozitet, së pari sot u vonuat në takim 16 minuta”, tha ai.
Deputeti Armend Muja tha se është shqetësuese sesa ngadalë është zhvilluar ky proces. Ai tha se ky cikël nuk duhet të vazhdojë kështu.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u interesua të dijë për arsyet e vonesës së konstituimit të këtij komisioni.
“Pse kjo vonesë e konstituimit të këtij komisioni… Po shpresoj që kryetari dhe nënkryetari të shpejtojë dinamikën e takimeve sepse çdo shtyrje do të prolongojë procesin e integrimit të Kosovës”, tha Zemaj. Deputetja Ariana Shoshi tha se ky është dashtë të jetë takimi i 5-të i këtij komisioni.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se puna e parë që duhet të bëhet është që të ftohen ministrat dhe të tregojnë se ku janë me implementimin e planit të veprimit.
Kuvendi miraton Raportin me Rekomandime lidhur me problemet në Ndërmarrjen Publike KOSTT
Kuvendi i Kosovës ka votuar Raportin me Rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në Ndërmarrjen Publike KOSTT.
Për votuan 64 deputetë, 15 kundër dhe asnjë abstenim.
Shqyrtimi i raportit ishte propozuar nga deputetja Jeta Statovci e Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, e cila theksoi se komisioni ka vërejtur se ndërmarrja në fjalë ka mjaft vërejtje në funksionim.
“Pas raportimit të bordit dhe menaxhimit të lartë të ndërmarrjes publike KOSTT dje në komisionin për ekonomi, komisioni vërejti se kjo ndërmarrje ka mjaft vërejtje në funksionim, andaj miratoi disa rekomandime për të përmirësuar gjendjen aty”, ka theksuar Statovci, ditë më parë.
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e radhës plenare. Në hapje të seancës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka folur për respektimin e masave antiCOVID-19, tash kur ka pasur rritje të madhe të rasteve në ditët e fundit.
Konjufca ka kërkuar nga deputetët që të jenë shembull për respektim të masave në mbrojtje të pandemisë COVID-19.
“Ju lus maksimalisht për respektimin e masave për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19. Po e shihni se me çfarë shpejtësie po hapet varianti Delta i këtij virusi, dhe më së miri do të ishte që respektimi i masave të filloj nga njëri prej institucionit më të rëndësishëm dhe deputetëve sepse jeni të zgjedhur të popullit. Shembullin që duhet ta jepni së pari ju takon juve si të zgjedhur të popullit”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe kujtojmë se dje në vendin tonë janë shënuar 888 raste të reja me coronavirus, dhe një person ka humbur jetën.
Nuk ka kuorum për votimin e Raportit me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë TregtareKuvendi i Kosovës ka dështuar që të votojë për Raportin me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare.
Të pranishëm në momentin e votimit të Raportit me Rekomandime për këtë Ligj ishin 74 deputetë.Për votimin e këtij raporti ishin 60 deputetë.Sikurse në seancën e kaluar edhe në seancën e sotme, në mungesë të kuorumit, ky raport nuk kaloi. Deputetët do t’iu drejtohen sot ulëseve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e fundit të paraparë për sesionin pranveror.
Seanca e datës 12 gusht do të jetë e dyta në rend të ditës për shkak se do të fillohet me pikat e papërfunduara, me pikat nga seancat e mëparshme.
Deputetët do të diskutojnë për problemet në KOSTT, kushtet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe do të votohet për zgjedhjen e auditorit të përgjithshëm.
Kuvendi fillon punimet e sesionit vjeshtor të hënën e dytë të muajit shtator, ashtu siç është paraparë me rregullore./Botapress/