I dërguari i posaçëm i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi sot në konferencë për media nga Ambasada e ShBA’së në Beograd që të gjitha marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, përfshirë edhe formimin e Asociacionit. Lidhur me këtë ka reaguar gazetari, Parim Olluri, transmeton Gazeta Botapress.info
Ai në një postim në Facebook ka pyetur militantët e Vetëvendosjes se kur do të fillojnë ta kritikojnë emisarin amerikan lidhur me këtë deklaratë.
Olluri po ashtu ‘gjen’ edhe arsyen pse kjo mund të mos ndodhë, duke thënë: ”A ky i madh me trup e s’po guxoni? Po tutni diçka.”
Pas takimit me Emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe presidentin serb, Aleksander Vucic, Escobar tha se shpreson që për problemet e pa zgjidhura, pra çështja e targave dhe dokumentet serbe të arrihet një zgjidhje deri në fund të muajit.
“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur, unë nuk jam pjesë e dialogut, Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit”, tha ai.
Escobar dhe Lajcak kanë vizituar këtë javë Kosovën dhe Serbinë, me ç’rast janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani.
Ata gjatë ditës së djeshme u takuan në Mitrovicën e Veriut edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe. Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, pasi serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe. /Botapress.info/