Tërë kapitalin elektoral e ndërtoi mbi pretendime të pareshtura se strukturat ilegale serbe ishin shuar përfundimisht. Megjithatë, dokumentet e po atyre strukturave, të cilat kryeministri Albin Kurti i paraqiste si të shkatërruara, Qeveria e Kosovës tash është pajtuar t’i pranojë, duke u ofruar leje të përkohshme qëndrimi dhe duke ua njohur letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe atij për automjetet, të cilët hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela.
Në konferencën e përbashkët me emisarin e BE-së për dialog, Peter Sorensen, Kurti njoftoi se Qeveria do të hapë një dritare tremujore gjatë së cilës qytetarëve të nationalitetit serb do t’u lejohet regjistrimi i fakteve civile duke përdorur kartën e identitetit të lëshuar nga strukturat jolegale, ku aplikantëve u lejohet përdorimi “ekskluzivisht si mjet identifikimi” i ID-kartës së lëshuar nga strukturat jolegale.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”
“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, ka deklaruar Kurti.
Në lidhje me marrëveshjen, Partia Demokratike e Kosovës shprehu “shqetësim të thellë për kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti”, të cilat, sipas tyre, “cënojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
Me pranimin zyrtar të tyre për regjistrimin e fakteve civile, PDK argumenton se Kurti “i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”.
“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës.
Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera në reagim.
PDK vuri theksin te ironia që vetëm pak javë më parë, në Davos, Kurti deklaronte se strukturat paralele nuk ekzistojnë më, ndërsa tani po u jep atyre “një legjitimitet të ri”.
“Ironikisht, vetëm pak javë më parë në Davos ai deklaronte para botës se strukturat paralele nuk ekzistojnë më. Ndërsa tani, përmes kompromisit të tij politik, po u jep atyre një legjitimitet të ri. Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës.” – thuhet më tej në reagimin e PDK-së.
Megjithatë, jo të gjithë ishin kritikë ndaj veprimit të Kurtit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka vlerësuar kompromisin e arritur si frymëmarrje për qytetarët serbë.
Ai paralajmëroi gjithashtu takime të afërta me serbët e Kosovës për të diskutuar dhe qartësuar detajet e këtij modeli të ri.
“Edhe pse nuk ka zgjidhje të bukura dhe të lehta, është arritur një model, për hollësitë e të cilit jam në dijeni. Jam mirënjohës për përpjekjet e evropianëve që donin të shmangnin katastrofën e ndonjë konflikti”, tha Vuçiq, sipas REL.
Në të njëjtën linjë, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi gjatë një konference për media se ky dakordim do të garantojë funksionimin normal dhe pa ndërprerje të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë.
Vendimi u përshëndet gjithashtu nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Ajo deklaroi se ky zhvillim krijon mundësi për një shtysë të re në avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës, si dhe në vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.



Të tjera
Aktuale
Ofrimi i lehtësirave të përkohshme për serbët: A po i legjitimon Kurti institucionet paralele të Serbisë?
Tërë kapitalin elektoral e ndërtoi
Aktuale
Trump thotë se SHBA do ta hapë Ngushticën e Hormuzit me patjetër
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka
Aktuale
Haradinaj-Kurtit: Me strukturat paralele po bashkëpunon, e me shqiptarët bllokada e rrëmujë
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka