Në javët e para të muajit maj janë raportuar një numër shqetësues i rasteve të sulmeve e ngacmimeve seksuale ndaj femrave, nga komunat e ndryshme të Kosovës.
Ky numër shqetësues është bërë i ditur nga raportet e përditshme të policisë së Kosovës, ku pothuajse nga java e para e majit janë raportuar ngacmime e sulme seksuale ndaj femrave, të cilat vazhdojnë të jenë evidente.
Kanosje, ngacmime, sulme, grabitje me dhunë, janë vetëm disa nga rastet e raportuara në polici që nga fillimi i majit e deri më sot me 19 maj.
Java e dytë e majit nisi me një rast në Prishtinë, ku një femër e mitur u mor me dhunë nga ish i dashuri i saj, me një veturë të tipit Mercedes. Rasti thuhet në raport se vazhdon të jetë në hetime.
‘’ Prishtinë, 08.05.2021-18:00. Është raportuar se viktima femër e mitur është marrë me dhunë nga ish i dashuri i saj i dyshuari mashkull kosovar. Raportohet se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tipit Mercedes. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Rasti është iniciuar dhe është duke u hetuar.’’
Dy ditë pas kësaj ngjarjeje, një tjetër dhunim u raportua në Fushë Kosovë, saktësisht në Bresje. Atje një i dyshuar i panjohur ka dhunuar viktimën femër kosovare, e cila është dërguar për ekzamimnim mjekësor.
‘’ Fsh. Bresje, Fushe Kosovë, 10.05.2021-12:20. Është raportuar se një i dyshuar i panjohur duke e mashtruar, ka dhunuar viktimën femër kosovare. Me urdhër te prokurorit viktimës do ti behet ekzaminimi mjekësor. Rasti nën hetime.’’
Një rast i rëndë që mori vëmendje të madhe, ishte rasti në shkollën ‘Faik Konica’ në Prishtinë. Një fëmijë në klasën e shtatë sulmoi seksualisht një vajzë për të cilën u tha se ishte vetëm 5 vjet.
Nga ky rast u publikuan edhe video, të cilat tregojnë momentin e sulmit.
Nga drejtoria e kësaj shkolle kanë thënë se shkrimi i publikuar në media nuk ka asgjë të vërtetë dhe se bëhet fjalë për diçka tjetër.
Ata kanë deklaruar se rasti është trajtuar nga Qendra për Punë Sociale dhe Policia.
“Ai shkrim nuk ka asgjë të vërtetë brenda. Ka ndodh diçka tjetër, e është proklamu dicka tjetër. Nuk ka dhunë seksuale. Asgjë prej saj nuk është e vërtetë. Është trajtu nga Qendra për Punë Sociale dhe komuniteti i policisë”, kanë deklaruar nga shkolla.
Rast tragjik ishte edhe një tjetër që kishte ndodhur në Prishtinë, ku një femër ishte dhunuar seksualisht për 5 ditë rresht nga 5 meshkuj. Ajo kishte raportuar se pa dëshirën e saj ishte dërguar në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë, dhe ishte dhunuar nga 5 meshkuj, ku e kishin detyruar edhe të konsumonte substance narkotike.
‘’ Prishtinë, 30.04.2021/05.05.2021. Ankuesja femër kosovare është paraqitur në stacion të policisë dhe ka raportuar se më datë 30.04.2021 e kishte takuar të dyshuarin, i cili pa dëshirën e saj e kishte dërguar atë në një shtëpi të pabanuar në Prishtinë dhe së bashku me katër persona të tjerë meshkuj dyshohet se e kishte dhunuar dhe kishte detyruar të konsumonte substanca narkotike deri më datë 05.05.2021. Me urdhër të prokurorit kujdestar është inicuar rasti dhe është duke u hetuar.’’
Ajo çfarë i bën këto raste edhe më shqetësuese është fakti se shumica nga këto femra janë të mitura, e të cilat në shumicën e rasteve në polici raportojnë se janë mashtruar, apo keqtrajtuar.
Më poshtë keni tre raste që kanë ndodhur për 3 ditë rresht, nga komuna e Skënderajit, Suharekës dhe Podujevës. Dy nga to janë ngacmime seksuale dhe marrëdhënie seksuale me femra të mitura.
”Skenderaj 14.05.2021-12:10.” Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare (e mitur). Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
”Suharekë 15.05.2021 – 21:00”. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ngacmuar viktimën femër kosovare. Sipas viktimës i dyshuari ia ka keqpërdorur edhe numrin e telefonit. Nga i dyshuari është sekuestruar një iphon për procedura të mëtutjeshme hetimore. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me urdhër të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
”Podujevë, 16.05.2021 – 00:05”. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi që i njëjti është takuar me viktimën femër kosovare e mitur. Viktima mohon të ketë pasur marrëdhënie seksuale. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili rekomandon që viktima të dërgohet për ekzaminim mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Dje gjatë ditës u raportua se një ‘hoxhë’ kishte dhunuar një femër e cila kishte shkuar për të kërkuar shërim. Viktima femër po shoqërohej nga nëna e saj, e cila tha se ‘hoxha’ kishte dërguar vajzën e saj në një dhomë tjetër, por nuk ishte në dijeni më pas se çfarë kishte ndodhur aty. Nga BIK thanë se personi në fjalë nuk ishte imam i ndonjë xhamie, dhe nuk ishte as teolog.
‘’F. Kosovë 17.05.2021-15:15.” Viktima femër kosovare ka raportuar se është ngacmuar nga një i dyshuar mashkull i panjohur për viktimën. Rasti vazhdon të hetohet.’’
Me datën 17, 18 maj kanë ndodhur tri raste të tjera të ngacmimeve seksuale në Deçan, Prishtinë, dhe në Gllogoc të Drenasit.
Më poshtë keni rastet e paraqitura në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.
‘’Fsh. Baballoq, Deçan 17.05.2021-14:00.” Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. ‘’
‘’Prishtinë 17.05.2021-22:00.” Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ngacmuar dhe shqetësuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. ‘’
‘’Gllogoc 18.05.2021-19:00.” Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti e ka ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare ( të mitur). Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet.’’
Dje pasdite në Pejë një person ka mbetur i vrarë. Xhevdet Januzaj dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, Gëzim Kastrati, ku si pasojë e plumbave ka humbur jetën në një lokal në rrugën “Gjon Gazulli”. Një familjar rrëfeu ngjarjen se si kishte ardhur deri te tragjedia. Ai ka thënë se i dyshuari, Januzaj është mësimdhënës në shkollën fillore “Dardania” i cili më 27 dhjetor 2019 ka tentuar ta dhunoj nxënësen, vajzën e viktimës, Gëzim Kastrati, shkruan Gazeta Metro.
“Viktima e ka pasur vajzën në shkollën “Dardania” në Pejë, në shkollë fillore nxënëse. Profesori që e ka vrarë e ka marrë vajzën e ka futur në sallë të profesorave dhe ka dasht ta dhunoj, por vajza ka ikë. Ajo ka shkuar në shtëpi duke qajt i ka tregu prindit çfarë i ka ndodh”, tha ai.
Tutje, familjari tregon se mësimdhënësi Januzaj ishte i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim për këtë vepër penale “Sulm Seksual” por i njëjti ishte në liri. Ai pohoi se i dyshuari e kishte ruajtur para shtëpisë viktimën tash e dy ditë. Sipas tij, i njëjti kishte lajmëruar Policinë e Kosovës por s’kishin marrë masa.
Ekzistojnë me qindra raste të tilla që ndodhin brenda muajve në Kosovë, disa nga to nuk raportohen, ndërsa të tjerat herë herë përfundojnë tragjikisht. Për këto ngacmime shpesh janë organizuar edhe protesta e aktivitete të ndryshme, që kërkojnë garantimin e sigurisë për qytetarët, e sidomos gjininë femërore të cilat janë më të ekspozuarat nga këto keqpërdorime, duke mos përjashtuar as fëmjiët.
Dhuna seksuale është një problem tejet serioz, që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Viktimave nga kjo dhunë duhet t’u ofrohen direktiva në adresimin e problemit.