Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe BE-ja, që disa ditë ka qenë në shënjestër të kritikave nga Kosova. Por kundrejt kritikave nuk kanë heshtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë ofruar një mbështetje të pakursyer ndaj Lajçakut. Fillimisht ShBA-ja e mbështeti Lajçakun, e pastaj e dënoi gjuhën e ashpër kritikuese ndaj tij, e në fund konkluduan se nuk largohet nga udhëheqja e dialogut. Si e mbrojti ShBA-ja Lajçakun?
Më i zëshmi në mbrojtje të Lajçakut ishte Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në tri intervista, të cilat i dha për Zërin e Amerikës, Radio Evropën e Lirë dhe mediumin “Pavlovic”, Escobar i doli në mbrojtje Lajçakut.
Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, Escobar ia vendosi pikën, duke deklaruar se Lajçak nuk largohet nga funksioni i tij. Sipas Escobarit, nuk mundet një vend prej një million e gjysmë ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij.
“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës.” – tha Escobar.
Tutje, ai theksoi se nuk sheh asnjë dëshmi për njëanshmëri nga ana e Lajçakut.
“Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.” – theksoi Escobar për REL, transmeton Nacionale.
Në intervistën e tij për REL, z. Escobar i përmendi edhe sulmet ndaj Lajçakut, duke thënë se ndihet i “alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës”. Tutje, Escobar tregoi se i ka kërkuar Kurtin dhe presidentes Vjosa Osmani që të dënojë sulmet ndaj Lajçakut.
“Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme.” – deklaroi ai.
Në mbrojtje të Lajçakut doli edhe Jeffrey Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë, i cili theksoi se shteti amerikan ka besim të plotë në Josep Borrellin e Lajçakun.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike.” – theksoi Hovenier.