Në mungesë të të akuzuarit Erzen Vraniqi, i cili në cilësinë e këshilltarit të Kryeministrit Albin Kurti, po akuzohet se nuk i ka deklaruar të ardhurat nga biznesi N.SH. “EIB” në pronësi të nënës së tij, ka dështuar të mbahet të martën shqyrtimi fillestar ndaj tij.
Sipas gjykatësit Eroll Gashi, i akuzuari Vraniqi ishte ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kishte arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Remzi Shala i njohur si komandant “Molla e Kuqe” dënohet me kaq vite burg
Gjykimi u shty në kohë të pacaktuar.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 majit 2023, Erzen Vraniqi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, këshilltar i Kryeministrit, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, par. 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.
Aktakuza thotë se Vraniqi edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontaktuese pranë organit të punësimit, për të bërë deklarimin e saktë për vitin 2021, i njëjti nuk e ka bërë deklarimin e saktë pasi nuk i ka deklaruar të ardhurat nga biznesi N.SH. “EIB” në pronësi të nënës së tij, në shumën prej 4 mijë e 226 euro e 70 centë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Vraniqi ka kryer verën penale “Mos raportimi ose raportimi i rreme i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, par. 2 të Kodit Penal./Botapress.info/