Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian i BE-së nisi zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave.
Që nga nisja e këtij dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.
Ora – kur pritet të votohet për vizat e shqiptarëve të Kosovës?
Parlamenti Evropian voton sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.
Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.
Por sa para kanë shpenzuar kosovarë për viza drejt Bashkimit Evropian.
Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh kur merret parasysh numri i aplikimeve në vit, raporton REL.
Po ashtu po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se kosovarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen.
Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Ndërsa sot Parlamenti Evropian e voton tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe kosovarët të udhëtojnë lirshëm pa viza në zonën Schengen./Botapress.info/