Së paku shtatë burra janë arrestuar në pjesën perëndimore të Indisë, pasi një vajzë 16-vjeçare pretendoi se është dhunuar seksualisht qindra herë nga qindra burra. Ky është rasti më i ri që e vë në pah problemin e madh të Indisë me dhunën seksuale.
Në një deklaratë për Komisionin për Mirëqenien e Fëmijëve, vajza e pastrehë tha se është dhunuar nga 400 burra në distriktin Beed të rajonit Maharashtra, sipas Abhay Vitthalrao Vanave, që e udhëheq komisionin. Vajza i ka përmendur edhe emrat e dy policëve në ankesën e saj, shtoi Vanave.
Sipas Vanave-s, vajza ishte duke kërkuar lëmoshë në një pritore autobusi, kur dyshohet se u detyrua për të bërë punë intime nga tre burra, shkruan CNN.
Përderisa numri i dhunuesve të dyshuar do të ishte vështirë i vërtetueshëm, vajza ka mundur që të identifikojë së paku 25 prej tyre, tha Vanave.
Vajza ishte munduar që të dorëzonte një ankesë në polici kundër një burri që e akuzonte për rrahje, por oficerët nuk e kishin regjistruar ankesën, shtoi Vanave.
Adoleshentja i tha policisë se ishte martuar në moshën 13-vjeçare me një burrë 33-vjeçar, i cili e kishte abuzuar seksualisht, sipas deklaratës së policisë.
Ajo gjithashtu i tha policisë se është sulmuar seksualisht edhe nga babai i vet, duke e nxitur që të largohej nga të dyja shtëpitë dhe të flinte në një pritore autobusi.
Sipas Byrosë Kombëtare për Regjistrimin e Krimeve, mbi 28.000 raste të dhunimeve të dyshuara seksuale kundër grave janë raportuar në Indi gjatë vitit 2020. Ekspertët besojnë se shifra e vërtetë është shumë më e madhe, sepse shumë raste nuk raportohet për shkak të frikës./Botapress.info/.