Një person është paraqitur në Gjykatën Speciale, nën pretendimin se është viktimë e ish-pjesëtarit të UÇK-së të akuzuar për krime lufte, Pjetër Shala.
Regjistri për viktimat në Hagë ka thënë se aplikuesi ka ofruar dëshmi të mjaftueshme se krimet e pretenduara përshtaten që të gjitha me parametrat material, gjeografik dhe kohor të aktakuzës ndaj komandant “Ujkut”, shkruan lajmi.net.
“Të gjitha krimet e pretenduara në formularin e aplikimit janë krime të pasqyruara në aktakuzën e konfirmuar. Me fjalë të tjera, krimet në lidhje me të cilat kërkuesi pretendon se është viktimë bien brenda parametrave materiale, gjeografike dhe kohore të akuzave të përcaktuara në aktakuzën e konfirmuar”, thuhet në parashtresën e Regjistrit.
“Regjistri vlerësoi nëse veprimet e përshkruara në kërkesë përbëjnë krimet brenda fushëveprimit të aktakuzës së konfirmuar, përkatësisht ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. VPO vlerësoi gjithashtu nëse ngjarjet e supozuara kanë ndodhur në një kompleks paraburgimi të vendosur në Kukës, Shqipëri, gjatë periudhës nga 17 maj 1999 ose rreth datës 17 maj 1999 deri më ose rreth 5 qershor 1999”, thuhet tutje
Sipas regjistrit, personi në fjalë mund të përshkruhet si viktimë direkte dhe indirekte e rastit.
“Kërkuesi gjithashtu pretendon se ka pësuar dëm [REDAKTUAR] si rezultat i [REDAKTUAR]. Në lidhje me këtë, VPO vlerësoi nëse kërkuesi ka pretenduar se dëmi i pësuar rezulton nga dëmi i pësuar nga viktima e drejtpërdrejtë dhe nëse dëmi është rezultat i një marrëdhënieje të ngushtë personale me viktimën e drejtpërdrejtë. Anëtarët e ngushtë të familjes (bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit e motrat) supozohet se janë në një marrëdhënie të ngushtë marrëdhënie personale me viktimën e drejtpërdrejtë”, thotë regjistri tutje në raportin e tij.
Kjo i bie që personi i paraqitur si viktimë në këtë rast, pretendon se një anëtar i ngushtë i familjes së tij/saj është viktimë direkte, që ka pësuar edhe dëm fizik brenda veprimeve të përshkruara në aktakuzë nga Prokuroria.
Kësisoj, regjistri ka kërkuar që ndaj personit në fjalë të vendosen masa ekstreme mbrojtëse, ashtu në çfarëdo forme të mbrohet identiteti i tij.
Masat e propozuara mbrojtëse janë:
Redaktimi i emrave dhe informacioni identifikues nga Prokurori.
Të dhënat publike të Dhomave të Gjykatës;
(ii) moszbulimi për publikun i çdo regjistrimi që identifikon aplikantin
(iii) caktimi i një pseudonimi
(iv) anonimiteti ndaj të Akuzuarit
(v) anonimiteti ndaj avokatit mbrojtës
I njëjti, ka kërkuar që përfaqësohet nga një avokat ndërkombëtar.
Vlen të përmendet se ky është raporti i parë i Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në Speciale, teksa personi në fjalë është i vetmi aplikues deri tash. /Botapress.info/