Një burrë i akuzuar se ka goditur qëllimisht me veturë disa pjesëmarrës në një paradë për Kërshëndella të dielën do të akuzohet për gjashtë vdekje, pasi një tjetër person i goditur – një fëmijë – vdiq.
Darrell Brooks, 39 vjeç, u paraqit në gjykatë me pesë akuza për vrasje të qëllimshme. Prokurorët thanë se do të paraqiten akuza të tjera. Sipas policisë, Brooks e drejtoi veturën në mënyrë zigzage me qëllim që të godiste sa më shumë njerëz.
Fëmija që vdiq është 8-vjeçari Jackson Sparks, i cili u godit bashkë me vëllanë e vet, 12-vjeçarin, Tucker Sparks, shkruan BBC.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/11/i-akuzuari.png)
Ai ishte duke marshuar me ekipin e vet të bejsbollit, kur u godit nga vetura. Në një faqe të hapur në “GoFundMe” thuhet se djaloshi i ishte nënshtruar një operacioni në tru të dielën dhe kishte nevojë për një mrekulli.
Vëllai i tij, i cili pësoi thyerje të kafkës, pritet që të shërohet. Ai është në mesin e 62 personave të lënduar. Policia tha se 18 nga të lënduarit janë fëmijë. Disa persona ndodhen nën kujdes kritik në spital.
Sipas të dhënave të autoriteteve të drejtësisë, i akuzuari ka të kaluar kriminale. Ai është akuzuar për dhjetë krime që nga viti 1997.