Në orët e para të së dielës (24 shtator 2023), rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.
Në mesnatë, Policia kishte vërejtur se në fshatin Banjskë ishin vendosur dy kamionë, duke e bllokuar rrugën, kështu gjatë ndërhyrjes grupi kriminal kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës.
Gjatë ditës, kishte vazhdimisht të shtëna armës, ku Policia e Kosovës u ballafaqua me këtë grup terrorist, të cilët në numër ishin mbi 30.
Ndaj sulmit terrorist në veri, reaguan edhe krerët e shtetit, duke e quajtur sulm ndaj shtetit të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.
Kurse, Kryeministri Albin Kurti, tha se kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Teksa në ora 10:00 të mëngjesit ai mblodhi Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë. Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastiri në Banjskë të Zveçanit dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.
Dioqeza Rashkë-Prizren përmes një reagimi në rrjete sociale, kishte konfirmuar se persona të maskuar e të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa theksoi se po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.
Kryeministri Kurti, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe akterët tjerë gjatë gjithë ditës kanë bërë thirrje që të pjesëtarët e grupit terrorist të dorëzohen.
Më vonë, nga Policia e Kosovës, u konfirmua se 3 pjesëtarë të këtij grupi kriminal janë vrarë, një prej tyre ishte plagosur, ndërsa më pas, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se 6 persona janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Ministri i Brendshëm, në mbrëmje tha se edhe pelegrinët e Manastirit po hetoheshin nëse në mesin e tyre ka persona të infiltruar të grupit terrorist.
Veç Policisë së Kosovës, i gatshëm për intervenim ishte shprehur edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë u mbyllën pas zhvillimeve të fundit në veri.
Reagimet ndaj këtij sulmi kundrejt shtetit të Kosovës kishte nga të gjitha anët, ndërsa ngjarjet në veri ishin kryefjalë edhe në mediat ndërkombëtare. I menjëhershëm ishte reagimi i Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, të cilët dënuan ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, thuhej në reagimin e Ambasadës.
Veç SHBA-ve, sulmin e dënoi edhe UNMIK, Ambasada Italiane, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Krahas Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, Gjermania, Austria, Kroacia e Turqia, ishin ndër vendet që e dënuan ashpër sulmin në veri të vendit.
Ndërsa, lidhur me një të lënduar që u dërgua në spital, drejtoresha e Spitalit në Mitrovicë, Luljeta Zhubi, tha se i lënduari është i komunitetit serb dhe ishte plagosur me armë zjarri. Ajo shtoi se i njëjti ishte udhëzuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.
Pas vizitës në veri, ministri i Punëvet të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në veri është gjetur armatim për qindra sulmues të tjerë. Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një adresim para mediave, gjatë ndezjes së qirinjve për rreshterin e vrarë në veri, Afrim Bunjaku, lidhur me sulmin në Banjskë tha se informacionet që kanë tregojnë se bëhet fjalë p ër një formacion terrorist e kriminal profesionist.
Në orën 19:00, në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, janë ndezur qirinj në nderim të polici Afrim Bunjaku, i cili u vra në orët e para të ditës së diele në fshatin Banjskë
Të pranishëm për të ndezur qirinj ishin ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, kryekuvendari Glauk Konjufca, e disa nga ministrat e Kabinetit Kurti, përfshirë: Rozeta Hajdarin, Albulena Haxhiun, Faton Peci, Artane Rizvanolli e Arben Vitia. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Qirinj për kolegun e tyre kanë ndezur edhe kolegët policit të vrarë dhe qytetarët tjerë.
Në reagimin tjetër të BE-së, u tha se Borrell ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Borrell quajti sulmin terrorist e kërkoi që sulmuesit të dorëzohen.
Pas zhvillimeve të fundit, Policia doli sërish me komunikatë ku njoftoi se ka r ënë intensiteti i sulmeve, por se situata mbetet e tensionuar.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që ditën e sotme ta shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.