Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka publikuar raportin për rastet e reja me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas raportit të parë, MSH-ja ka bërë të ditur se janë regjistruar 274 raste të reja me COVID-19, ndërsa janë shëruar 255 pacientë gjatë 24 orëve të fundit.
Por, disa çaste më parë ministria ka bërë një përditësim në raportin për COVID-19, duke e fshirë raportin e mëparshëm dhe duke publikuar “përditësimin” e të dhënave.
Në postimin e ri, MSH-ja ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 255 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa janë shëruar 274 pacientë. Duket se në raportin e parë MSH-së i është ngatërruar në raport numri i rasteve pozitive me numrin e pacientëve të shëruar.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje për ndryshimin e shifrave të rasteve dhe të pacientëve të shëruar nga COVID, ndërsa në ueb-faqe thuhet se përditësimi i fundit i të dhënave është bërë më 21 gusht. /Botapress.info/