Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet.
Me ngacmim seksual dyshohet se u përball edhe një vajzë e mitur në fshatin Gaqkë të Ferizajt, e cila për këtë ka denoncuar një person në Polici.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, kur viktima kishte marrë rrugën që të shkojë në shkollë.
Sipas dëshmisë së saj, ajo ka munguar në orën e parë të mësimit, për shkak se është takuar me të dyshuarin, me të cilin kishte vazhduar rrugën për në shkollë. E gjithçka dyshohet se ndodhi në momentin kur ata dy u përshëndetën, me ç’rast i dyshuari kishte puthur në faqe 14-vjeçaren.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’. /Botapress.info/