Nga terrori i ISIS te borxhi në mikrofinancë – Si u mashtruan gratë që kërkuan një jetë të re?

Gazeta  pak më parë raportoi për një skemë mashtruese, që shfrytëzoi besimin dhe gjendjen e rënduar sociale të dhjetë grave të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak, e që është zbuluar nga hetuesit e krimeve ekonomike në Prishtinë.

Gazeta Sinjali mësoi se tre persona – Ragip Delija, rreth 66-vjeçar, Valmir Gashi, rreth 46-vjeçar dhe Astrit Haxhidauti, rreth 61-vjeçar – dyshohen se në bashkëveprim kanë mashtruar këto gra duke u premtuar donacione nga një shtet i huaj, në emër të “rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri”.

Sipas hetimeve, viktimat – të gjitha të kthyer nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme – janë bindur të aplikojnë për ndihma financiare në institucionin mikrofinanciar “Kosovo Gramen Missione Arcobaleno Microcredit Found”, me premtimin se po përfitonin donacione nga shteti i Bangladeshit.Por në vend të ndihmës, gratë kanë nënshkruar kontrata kredie në shumë prej 4,500 deri në 5,000 euro. Pas kalimit të parave në llogaritë e tyre, Ragip Delija i ka shoqëruar në bankë, duke i detyruar të tërheqin mjetet. Çdonjërës i janë dhënë vetëm 500 euro, ndërsa pjesa tjetër është marrë në emër të “shpenzimeve dhe pagesave për zyrtarët”.

Hetimi i policisë ka zbuluar se Valmir Gashi, zyrtar në institucionin mikrofinanciar, ka përpiluar dosjet dhe kontratat, ndërsa menaxheri Astrit Haxhidauti i ka aprovuar kreditë. Delija ndërkohë ka shërbyer si lidhje mes grave dhe institucionit, duke luajtur rolin e ndërmjetësuesit.

Gratë kanë kuptuar se ishin mashtruar vetëm kur institucioni mikrofinanciar u ka kërkuar fillimin e pagesave të kredisë – një barrë financiare për të cilën ato nuk ishin të vetëdijshme.

Hetimet janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfshirë edhe masa të fshehta hetimore. Deri më tani, janë identifikuar dhjetë viktima dhe dëmi i përgjithshëm llogaritet rreth 45 mijë euro.

Dy prej të dyshuarve, R.D. dhe V.G., janë ndaluar për 48 orë, ndërsa A.H. është liruar në procedurë të rregullt.

Sinjali do të vazhdojë të ndjekë nga afër këtë rast me implikime të rënda morale, ligjore dhe shoqërore.

Të tjera