Edhe pse kaluar një periudhë kohore mjaftë e gjatë që nga momenti kur në Kosovë janë konfirmuar rastet e para të të infektuarve me virusin COVID-19, vazhdojmë të jemi ndër vendet e fundit në listën e atyre që kanë vaksinuar tashmë shumicën e qytetarëve.
Tani për tani kur në vend janë edhe 923 raste aktive me këtë virus, në nivel vendi janë gjithsej 83 mijë e 725 qytetarë të vaksinuar.
Nga Ministria e Shëndetësisë se ka ende punëtorë shëndetësorë të cilët nuk janë vaksinuar.
“Pjesa dërmuese e personelit shëndetësorë në Kosovë është vaksinuar. Ka ndonjë që për arsye shëndetësore apo të tjera nuk ka arritur të vaksinohet ende, e ka këtë mundësi të hapur për t’u vaksinuar edhe më tej”, u tha në përgjigjen e MSH-së për lajmi.net.Të pyetur se kush është në listën e atyre që pritet të vaksinohen pas stafit shëndetësore, nga Ministria e Shëndetësisë u theksua se aktualisht po vazhdon vaksinimi i personave mbi 65 vjeç si dhe atyre me sëmundje kronike.
Sa i përket furnizimit me vaksina Anti-COVID, nga MSH u tha se aktualisht kjo ministri është duke pranuar çdo javë vaksina nga asistenca e Bashkimit Evropian për Kosovë.
“Vaksina MSH është duke pranuar çdo javë nga asistenca e BE-së për Kosovën dhe rrugë të tjera”.
Gjithashtu u ritheksua se synimin i Ministrisë së Shëndetësisë vazhdon të jetë që deri në fund të këtij vitit të vaksinohen 60-70% e atyre që duhet vaksinuar kundër COVID-19.
Brenda ditës së djeshme në nivel vendi janë vaksinuar 2 mijë e 805 persona, kurse janë testuar 4 mijë e 014 qytetarë.
Situata me COVID-19 gjatë kohës së fundit u cilësua si më e lehtësuar, kësisoj edhe nga institucionet përgjegjëse u morë vendim që të ndryshohen masat antiCOVID.
Qytetarëve iu mundësua që kur të jenë vetëm në ambiente të jashtme të mund të qëndrojnë pa maska, u largua ora policore si dhe u morën disa vendime që lehtësojnë mënyrën e respektimit të masave antiCOVID të cilat ishin më herët.