Me rregulloren e re të Komunës së Prishtinës, të gjitha lokalet në sektorin e gastronomisë, duhet të pajisen me certifikatë që përcakton orarin e punës dhe decibelët e lejuar të zhurmës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se nga e hëna fillon zyrtarisht puna duke u bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvend, ku të gjitha lokalet e gastronomisë në Kryeqytet, të cilat nuk respektojnë decibelët e lejuar do të gjobiten.
“Vizituam sot Dhomën e Monitorimit të Ndotjes Akustike në Inspektoriatin e Kryeqytetit. Nga e hëna fillojmë edhe zyrtarisht punën dhe duke u bazuar në rregulloren e miratuar në Kuvend, të gjitha lokalet e gastronomisë në Kryeqytet, të cilat nuk respektojnë decibelët e lejuar do të gjobiten”, ka shkruar Rama në Facebook.
Me këtë rregullore subjektet afariste në sektorin e gastronomisë në Kryeqytet, obligohen të furnizohen me pajisje që masin nivelin e zhurmës së emituar jashtë, rrjedhimisht të pajisen me certifikatë që përcakton orarin e punës dhe decibelët e lejuar.