Qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa i përket reciprocitetit me Serbinë ka ndryshuar prej kohës kur ai ka qenë në opozitë dhe tani kur është në pushtet.
Përpara zgjedhjeve të 14 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një paraqitje televizive kishte deklaruar se reciprociteti me Serbinë është çështje që do të mbyllej disa ditë ose javë pasi ai të bëhej kryeministër, por kjo nuk ndodhi, shkruan lajmi.net.
“Reciprociteti është më thellë se plan sepse është parim. Pra ka një dimension normativ dhe derivon nga koncepti i barazisë, është parim i shëndosh i marrëdhënieve ndërkombëtare. Reciprociteti është gjëja më e zakonshme e një shteti. Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Është njëra prej gjërave të para që do të bëjë”, kishte thënë Kurti, kur ishte pyetur se kur do t’i kthente masat reciproke me fqinjin verior.
Por, ky qëndrim i Kurtit, ka ndryshuar tani që ai është kryeministër. Nëpërmjet ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari qeveria ka kumtuar se reciprociteti me Serbinë do të vendoset kur qeveria e Kosovës të jetë gati.
“Unë kam pyetur në mandatin e parë, si ministre se sa kemi logjistikën në teren të përgatitur dhe kur kam kërkuar për akreditimin e Instituteve, përgjigja ka ardhë që nuk është i akredituar Instituti i Bujqësisë. Përveç bllokave dhe koncentratin e shpezëve, kemi marrë inicim për hetimet për sektorin e produkteve si biskotave etj. Unë nuk kam dëshirë të vij në konkluzion pa një analizë. Unë nuk marr asnjë vendim pa një analizë të gjerë. Ju vini me kërkesa kur, përgjigja ime është kur të jemi të gatshëm. Nuk do të jetë reciprocitet ditësh por do të jetë me një efekt prej pesë vitesh. Na duhen 60 ditë analizë, na duhet shqyrtim në teren. Nuk mund të vendosi vendime ad-hoc kur dua të marr një vendim të caktuar”, ka thënë ajo.
Kurti gjithashtu para disa javësh ka vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë dhe kjo ka shkaktuar tensione në pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bernjak në veri të Kosovës.