Nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër nafta në treg: MINT njofton se po monitorojnë çmimet e derivateve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut është duke zhvilluar monitorim dhe inspektime intensive në tregun e derivateve të naftës për të siguruar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve.

Sipas njoftimit zyrtar, mbikëqyrja po realizohet në bazë të vendimit të nënshkruar më 4 mars nga ministrja Mimoza Kusari Lila, i cili synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Autoritetet kanë bërë të ditur se, përveç monitorimit në terren, janë duke u analizuar edhe të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganë e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë 7 marsit ka qenë 1.40 euro për litër për naftën (dizel) dhe 1.14 euro për litër për benzinën.

Ndërkohë, nga monitorimi i tregut vendor rezulton se çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë kanë lëvizur nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër për naftën dhe nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër për benzinën.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruaj nga ministrja znj. Mimoza Kusari Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

Gjithashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë (datë: 07.03.2026), ka qenë si në vijim:
1. Naftë (Dizel): 1.40 €/litër;
2. Benzinë: 1.14 €/litër;

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:
1. Naftë (Dizel): nga 1.39 €/litër deri në 1.55 €/litër;
2. Benzinë: nga 1.27 €/litër deri në 1.32 €/litër;
Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:
– dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
– dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka qenë në terren gjatë vikendit edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, IQMT do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës e po ashtu edhe inspektimin në pajisje matëse, së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Kështu që në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, si mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

Për çdo zhvillim të mëtejmë, qytetarët e Republikës së Kosovës do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

 

Të tjera