Nesër në Gjykatën Themelore të Ferizajt rreth orës 13:00 do të shpallet aktgjykimi ndaj Naser Pajazitaj, i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015.
Vëllai i viktimës, Shkelqim Pajazitaj pret që drejtësia të marrë një vendim të drejtë dhe të vlerësohen faktet.
Tutje, ai për Indeksonline u shpreh që vrasësi duhet të marrë dënim kapital.
“Presim që drejtësia ka me marrë një vendim të drejtë, ka fakte të mjaftueshme, ishalla po merr fund ma, nuk zhagitet më shumë, u bënë gati 6 vjet. Shpresoj që drejtësia ka me i vlerësu faktet qysh duhet. Shpresoj që vrasësi të merr dënim kapital”, theksoi Pajazitaj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naser Pajazitaj akuzohet se më 09.11.2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna Deçan, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” , me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyre dinake dhe për motive të ulëta e ka privuar nga jeta Donjeta Pajazitajn.
Në atë ditë, viktima kishte qenë duke shkuar ne punë në këmbë nëpër rrugën në drejtim të Strrellcit të Epërm dhe kur afrohet ne afërsi të shtëpisë së Nedi Jusaj, kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip Cheeroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr Donjetën me veturë, e me pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve te Strellcit, dhe kur arrin tek Kroni i Lajthisë e privon nga jeta me armë, duke shtënë dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Kurse kufoma e viktimës është gjetur më 17.12.2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtar të rastit./Botapress/