Një ditë para protestës së paralajmëruar popullore kundër rritjes së çmimit të rrymës, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk e komentoi kërkesën e KESCO-së që tarifat të rriten për 21 për qind.
Nga vizita në shkollën e mesme ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, ku janë përuruar investime në efiçiencë të energjisë, Rizvanolli tha se do të pritet raporti konsulatativ i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të dhënë komente.
“Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, do të shohim raportin konsultativ kur ZRRE do të publikojë atë, në këtë fazë nuk mund të themi asgjë. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që ata konsiderojnë që janë të arsyeshme”, është shprehur Rizvanolli.
E pyetur rreth rritjes së importit të energjisë, Rizvanolli tha se kjo ka ndodhur shkaku i investimeve në KEK, ndërsa shtoi se situatë e njëjtë do të jetë edhe gjatë këtij e vitit të ardhshëm.
“Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme. Është investimi i parë serioz që po bëhet në KEK, pas 40 viteve”, theksoi Rizvanolli.
KESCO-ja veçse e dorëzoi aplikimin për të hyra maksimale të lejuara, në bazë të të cilit kërkoi që tarifat e rrymës të rriten për rreth 21 për qind. Këtë kërkesë e justifikoi me rritjen e importit të energjisë elektrike, e që, sipas saj, vitin e shkuar i tejkaloi vlerat e lejuara prej afërsisht 36 milionë euro.
ZRRE-ja njoftoi se është në proces të shqyrtimit të aplikacionit.
E në kundërshtim të kërkesës për rritje të tarifave, një grup aktivistësh bënë thirrje për protestë të premten.
Qytetarët i dolën në mbështetje kësaj thirrjeje për protestë, porse nuk shprehën pritje se ajo do të ketë efekt.
“Gjithsesi, sidomos për rrymë duhet me dalë të gjithë… Qysh do me i përballu pensioneri me 150-160 euro, ta paguajmë rrymën, ujin, mbeturinat e çka me hëngër tani? Këtu është, kjo është e pabesueshme”, ka theksuar qytetari Bajram Kastrati.
E dyshime se protestat do të kenë ndonjë ndikim ka shprehur qytetari Ali Rexha.
“Jo, kurrë s’kanë bë efekt protestat, asgjë, veç me u tregu popullatës që nuk është në rregull. Tjetër gjë s’mundemi me bë, veç me tregu që nuk është në rregull, duhet me qenë me arsye, me logjikë, me bazë, e jo veç me ja fut kot. Nuk e di, s’kam ide”, ka deklaruar ai.
Protesta është paralajmëruar të nisë nga ora 13:00 para objektit të KEDS-it dhe të vazhdojë më pas drejt asaj të Qeverisë.



Të tjera
Shëndetësi
Cila është metoda për t’iu rikthyer gjumit pasi të zgjoheni natën?
Një mjek britanik ka ndarë një
Aktuale
Lumir Abdixhiku uron besimtarët myslimanë për nisjen e Ramazanit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka
Showbiz
E dashura e Bellinghamit ia vë “flakën” rrjetit me postimet e fundit
Ashlyn Castro, influencerja dhe e dashura