Xhemile Dehari ka treguar se si është ndjerë kur ka kuptuar se janë zhdukur mostrat e djalit të saj, Astrit Deharit. Ajo thotë se për të ka qenë sikur Astriti ka vdekur për të dytën herë.
“Dëgjova në lajme në televizione që paskan humbë mostrat, unë po e quaj që ia vodhën gjakun për mu personalisht ka qenë vdekja e dytë e Astritit nuk e di nëse mund të kuptohet ndryshe”, tha ajo në Debat Plus.
Kujtojmë se, më 8 dhjetor ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se janë zhdukur mostrat e të ndjerit, Astrit Deharit, nga laboratori i toksikologjisë.
Haxhiu kishte deklaruar se në këtë vend kanë qasje vetëm 3 persona.
Ndërsa, edhe nëna e Astrit Deharit ka thënë se në vendin e zhdukjes së mostrave kanë qenë vetëm tri punëtore dhe prokurori i rastit edhe pas gati tre muajve nuk e ka zbuluar akoma se cila ka “vjedhur gjakun” e të birit.
“Tri punëtore kanë qenë dhe kanë kaluar gati tre muaj nga zhdukja e mostrave a nuk po mundet prokurori me zbulu se cila ka vjedhur gjakun dhe se pse është vjedhur, unë person i thjesht do të mundesha ta zbuloja deri më tani”, është shprehur ajo.