Një rast i rëndë po raportohet se ka ndodhur sot në rrugën “Beteja e Koshares”, në Mitrovicë.Aktivistja Neri Ferizi përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar se një person rreth moshës 60-vjeçare, e ka ngacmuar seksualisht në rrugë një vajzë dhe i kishte ofruar para për tu takuar me të.
“Kjo shoqni ka rreshqit! Duke u kthy rruges per ne shtepi (me njemije probleme te mija) nje plak diku ne te 60-tat e tij e ndjekte nje vajze te re e cila filloj me kajt me lot duke i bertite atij: “A je normal o axh?” Kur u afrova, kjo vajza (e mitur) po tregon qe ky njeri e ndjeke shpesh duke i ofru edhe para per me u taku me te. E thirra edhe policine por derisa u afrova, ai vec iku dhe nuk kam ndonje emer apo informate me shume, pervec pamjes se tij. Policia me premtoi qe ka me patrullu ne ate pjese”, ka shkruar Ferizi.
Këtë rast, e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, ka thënë për Express, se janë njoftuar për këtë ngjarje dhe se policia është duke punuar për identifikimin e personit në fjalë.
“Po kemi marrë njoftim për një sulm seksual në rrugën ‘Beteja e Koshares’. E kemi dërguar një patrullë policore për të hetuar rastin. Vajza që ka raportuar rastin nuk e ka njohur më parë të dyshuarin. Policia është duke e hetuar tash këtë rast”, ka thënë ai. Ndërkohë, sot u raportua edhe një rast tjetër i rëndë, ku një vajzë e re është dhunuar nga dy burra në fshatin Mazhiq të Mitrovicës.