Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se Komisioni i Venecias pritet që gjatë muajit mars 2022 të jap opinionin në lidhje me procesin e Vettingut në Kosovë, shkruan Gazeta Botapress.
Albulena Haxhiu në konferencën e fundit për këtë vit, ku edhe ka përmendur disa nga punët dhe të arriturat e ministrisë që ajo drejton gjatë vitit 2021.
“Jemi duke pritur opinionin e Komisionit të Venecias për vettingun në sistemin e drejtësisë, dhe sipas informacioneve që kemi marrë në muajin mars 2022 do të na japin opinionin e tyre për këtë çështje, kur ta marrim atë opinion, do t’i shohim rekomandimet dhe do të vazhdojmë tutje duke i aplikuar ato”, tha Haxhiu.
Ndërkaq sa i përket raporteve me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Haxhiu theksoi se raportet mes tyre nuk janë ashtu siç duken.
“Raportet tona me Këshilin Prokurorial nuk janë ashtu si duken. Me tepër besoj që për këtë arsye janë reformat në drejtësi që kanë nisur nga Ministria e Drejtësisë. Mendoj që këto reforma nuk duhet t’i pengoj atyre. Mos-prania e tyre sidomos në çështjen e Vettingut, ata konsiderojnë që nuk duhet të ketë vetting, por për këtë kanë vendosur qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Ndryshe kujtojmë që bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që Kosova t’i dëgjojë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë me kujdes në lidhje me procesin e vettingut.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor e ka bojkotuar punën e grupit punues që po bëhet për hartimin e legjislacionit për procesin e vettingut, përkundër kësaj në Ministrin e Drejtësisë thonë se kjo nuk do t’i pengojë ata që të vazhdojnë me reformën të cilët e konsiderojnë substanciale për sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, opozita e konsideron të palogjikshme hartimin e vettingut pa përfshirjen e këtyre dy institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, ndërsa shoqëria civile këshillon KPK dhe KGJK që të mos e ndjek politikën e inateve por t’i bashkohet punës për vettingun. /Botapress.info/