Bleona Tafallari, 19 vjeçare e lindur në Kosovë, por me banim në Milano të Italisë, akuzohet se është pjesë e një grupi fundamentalist islamik me bashkëshortin e saj dhe ishte gati të shkonte për të luftuar.
Prokuroria Publike e Milanos, më saktësisht prokurori Alberto Nobili, ka kërkuar gjykim të menjëhershëm për Bleona Tafallarin, 19 vjeçe, e lindur në Kosovë, por me banim në Milano, e riemërtuar si “luanesha e ISIS-it” dhe e arrestuar më 17 nëntori të vitit të kaluar në Itali për terrorizëm ndërkombëtar pas një hetimi të koordinuar nga prokurori Leonardo Lesti, shkruan gazeta italiane, Il Giorno.
Përveç kësaj, në janar të vitit të kaluar ajo ishte e martuar me një ‘muxhahidin’ 21-vjeçar kosovar dhe kishte lidhje me sulmuesin e Vjenës Kujtim Fejzulai (foto më lart), dhe më shumë se 2,000 biseda që nuk lanë asnjë dyshim, sipas aktakuzës, për anëtarësimin e saj në ISIS.
Në pyetjen para gjyqtarit hetues e më pas edhe prokurorëve, e reja mbrohej gjithmonë duke shpjeguar se nuk kishte bërë asnjëherë propagandë, se nuk e kishte menduar asnjëherë “të bëhej dëshmore, as të shkonte për të luftuar”.