Operatori i Transmisionit, Sistemit dhe Tregut sh.a – KOSTT funksionon si ndërmarrje publike në pajtim me Ligjin për ndërmarrjet publike. Bazuar në rregullat vendore të aplikueshme, ndërtimet nën sistemin e transmisionit dhe në afërsi të caktuara janë të ndaluara pasi që KOSTT-i këto hapësira i ka të shpronësuara dhe e mban të drejtën e servitutit.
Sipas Ligjit për Energjinë, të gjitha linjat dhe tubat e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë që kalojnë përmes, mbi, apo nën një pronë konsiderohet se e kanë të drejtën e servitutit të përhershëm mbi pronën e prekur në favor të ndërmarrjes së energjisë. Ligji parasheh që, brenda çfarëdo zone të sigurisë është i ndaluar ose i kufizuar ndërtimi ose ngritja e çfarëdo ndërtese, prerja e bimëve ose pemëve, ose ushtrimi i aktiviteteve që mund të paraqesin rrezik ndaj sigurisë ose veprimtarisë së pandërprerë të instalimeve energjetike, sigurisë së shëndetit, jetës dhe pronës.
Zyra e Auditorit Gjeneral ka vërejtur raste ku është cenuar zona e sigurisë, si rezultat i mos respektimit të kritereve sipas pëlqimeve/kushteve teknike dhe ndërtimeve të paautorizuara, shkruan lajmi.net.
“Ndërtimi i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë – Prishtinë, ishte afër linjës së transmisionit rreth 5m përderisa KOSTT-i i kishte lëshuar pëlqim sipas kushteve teknike që distanca të jetë minimum 7m. Kjo distancë nuk ishte respektuar gjatë ndërtimit, përkundër që mbikëqyrja e zbatimit të kritereve është kompetencë e komunës, megjithatë zona e sigurisë ishte e cenuar”, thuhet në Raportin e Auditimit që është publikuar në javën e kaluar lidhur me Dhënien e Pëlqimeve për Ndërtimin/Shfrytëzimin e Pronës së NP KOSTT nga palët e tjera.
Auditori ka gjetur se Komuna e Prizrenit kishte bërë zhvendosjen e shtyllës së linjës ekzistuese 110kV afër rrugës (projekti transiti i vjetër), rreth 2m, përderisa KOSTT-i i kishte lëshuar pëlqim me kushtet teknike/projekt që distanca deri te skaji i rrugës të jetë 40m, në rastet kur nuk lejojnë kushtet jo më e vogël se 10m.
“Raporti i komisionit për pranim teknik i datës 22.01.2016 konfirmon se nuk janë kryer punët/zhvendosja e shtyllës sipas kushteve teknike. KOSTT përmes email-it kishte njoftuar komunën për korrigjimin e mangësive të identifikuara, megjithatë në terren gjendja mbetet e njëjtë”, thuhet në raport.
Po sipas Auditorit, një rast i ndërtimit nën linjën e transmisionit6 110kV i cili nuk kishte marrë pëlqim/kushte teknike për ndërtim, ishte identifikuar nga departamenti i mirëmbajtjes i cili në bazë të rregullores së mirëmbajtjes bën kontrollimin e trasesë në aspektin e cenimit të zonës nën linjë njëherë në gjashtë muaj, por KOSTT kishte njoftuar organet kompetente dhe punimet ishin ndërprerë.
“Në teren kemi vërejtur edhe objekte tjera (shtëpi, lokale etj.) të ndërtuara kryesisht viteve të mëhershme të cilat ishin nën linjën e transmisionit në kundërshtim me ligjin. Duhet theksuar se departamenti i mirëmbajtjes kishte filluar informimin e dy komunave për objektet të cilat e cenonin zonën e sigurisë dhe disa rasteve individuale, por që bashkëpunimi në mes KOSTT dhe akterëve relevant/palëve të interesit kërkon shumë progres për të arritur efektet e duhura”, thuhet në të gjeturat e auditorit.
Në raport thuhet se, cenimet e zonës së sigurisë janë bërë kryesisht si shkak i mos pajisjes me kohë me pëlqime/kushte teknike, apo edhe mos zbatimit të standardeve dhe rregullave teknike të parapara me kushte teknike të përcaktuara nga KOSTT.
Duhet theksuar se KOSTT nuk e praktikon monitorimin nëse po zbatohen kushtet teknike, me rastin e ndërtimeve, pasi kjo është kompetencë e komunave.
“Ndërtimet brenda zonës së sigurisë ndikojnë direkt në cenimin e zonës së sigurisë të transmisionit të linjave, duke shkaktuar vështirësi në qasje të linjave (kufizim mbi të drejtën e servitutit), dhe rrezikimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, ka vlerësuar auditori, i cili i ka rekomanduar Bordit të drejtorëve përmes Kryeshefit që te siguroj një bashkëpunim efektiv me të gjitha komunat dhe palët tjera të interesit përmes komunikimit të vazhdueshëm për të parandaluar cenimin e zonës së sigurisë të transmisionit në tërë vendin. Po ashtu, KOSTT duhet të monitoroj më shpesh linjat dhe ndërtimet që kryhen në afërsi të sistemit të transmisionit për të shmangur rrezikimin e servitutit mbi pronat e veta.
Auditori ka adresuar edhe disa rekomandime tjera, si mos aplikimi i tarifave financiare nga KOSTT-i, apo mangësitë në menaxhimin e procesit të dhënies së përgjigjeve (pëlqime/refuzime).
Si Operator i Sistemit të Transmetimit (OST), KOSTT-i është përgjegjës për operim efikas, ekonomik dhe të koordinuar të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë, si dhe është përgjegjës për menaxhimin e rrjedhave të energjisë në rrjetin e transmetimit që shërben për furnizimin e konsumit nacional dhe tregtimit ndërkufitar.