Lirim Haxholli, 24 vjeçar është zyrtari policor që mbeti i vrarë mbrëmë në një ndejë në fshatin Zllatar të Prishtinës.
Siç tha policia në versionin zyrtar të saj, Haxholli u qëllua me armë zjarri “aksidentalisht”.
“Një zyrtar policor, mashkull kosovar, ka vdekur pasi që është qëlluar me armë zjarri aksidentalisht nga i dyshuari mashkull kosovar gjatë një ndeje. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Prokurori i shtetit ka autorizuar IPK-në që të merren të gjitha veprimet lidhur me rastin. I dyshuari është arrestuar”, thuhet në komunikatën e Policisë.
E Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur pak më vonë se në ndejën ku mbeti i vrarë viktima ishin 15 policë tjerë, andaj që të gjithë janë suspenduar.
Njëri prej tyre është arrestuar për vrasje, pesë janë arrestuar për të shtëna me armë zjarri, teksa nëntë të tjerë janë suspenduar.
Gjithashtu, masa e suspendimit u është vënë edhe të arrestuarve.
“Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion përmes “Linjës së kaltër” nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person. Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Personi i plagosur në këtë rast (zyrtar policor) ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve. Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare.Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, bëjnë të ditur nga IPK.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.