Ndalohen 38 mijë lodra në vlerë të 100 mijë eurove në zona doganore

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut njoftoi se ka zhvilluar një aksion të gjerë të mbikëqyrjes dhe inspektimit të lodrave për fëmijë dhe tha se si rezultat i inspektimeve të kryera në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38,000 copë lodra për fëmijë, në vlerë prej afro 100,000 euro, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk kanë poseduar dokumentacionin përkatës për vendosje në tregun e brendshëm.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm, janë sekuestruar mbi 2,547 copë lodra për fëmijë,  për të cilat është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e sigurisë.

Inspektorati tha se qëllimi i këtij aksioni ishte garantimi i sigurisë së produkteve që vendosen në tregun e brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorëve, me fokus të veçantë në sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.

“Në kuadër të këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave, që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë të parapara në Rregulloren Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave. Përmes këtyre aksioneve synohet që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve”.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut tha se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aksione të tilla edhe në të ardhmen, duke ftuar njëkohësisht operatorët ekonomikë të respektojnë plotësisht kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet që i vendosin në treg.

Të tjera