Njësitet speciale ROSU të Policisë së Kosovës edhe me tutje vazhdojnë të jenë prezent dhe të kontrollojnë vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak në zbatim të masës së qeverisë për reciprocitetin në lidhje me tabelat, serbët vazhdojnë të jenë prezent edhe protestojnë me bllokimin e rrugës, situata ishte e qetë pa incidente, ndonëse ka pakënaqësi edhe tensione.
Situata është e qetë por e tensionuar në vendkalimet administrative, në ditën e pestë të masës së ndërmarr nga autoritetet në Prishtinë lidhur me tabelat, shkruan “B92”.
Sa për përkujtim, serbët kanë shprehur me protestë pakënaqësinë me vendimin e qeverisë së Kosovës për ndërrimin e tabelave, ndërsa ky ndërrim kushton 5 euro dhe tabelat kanë afat 60 ditë.
“B92” shkruan se tensionet janë ngritur dje ku është njoftuar për “rrahjen” e tre personave serb nga njësia ROSU në afërsi të Bërnjakut, që sipas këtij mediumi nuk ishin fare në protestë dhe po shkonin për përgatitjen e druve për dimër.
Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës ka demantuar rrahjen, ndërsa kreu i Listës Serbe Rakiç ka ftuar institucionet në Prishtinë dhe bashkësinë ndërkombëtare që të shkojnë e të binden, duke nënvizuar se protestuesit kërkojnë vetëm liri të lëvizjes, ndërsa nga bashkësia ndërkombëtare edhe angazhim në zgjidhjen e kësaj çështje përmes dialogut.
“Ata persona kanë dal për të siguruar bukën për familjet e veta. Situata në këtë pjesë është e qetë edhe stabile”, tha Rakiç.
Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë qindra metra nga pika ku janë vendosur njësitet ROSU, ndërkohë sipas “B92” njësitet e ushtrisë së Serbisë në Rashkë janë në gjendje gatishmërie për veprim.
Sipas redaktorit të portalit “Kosovo-online” qëllimi i Kurtit është thyerja e rezistencës së serbëve, ndërsa BE edhe bashkësia ndërkombëtare zakonisht reagojnë me vonesë.