Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo ka qenë përgjigja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak, shkruan Gazeta Sinjali.
Për këtë çështje, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu thotë për Gazetën Sinjali se barrikadat i vuri presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe po i njëjti i largoi.
Me këtë veprim të Vuçiqit, deputetja tha se presidenti serb ka gjunjëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Sa i përket barrikadave, ato i vuri Vuçiqi dhe po i njëjti i hoqi. Në këtë mënyrë Vuçiqi e gjumjëzoi qeverinë e Albin Kurtit”, thotë ajo.
Sipas kryetares të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Qeveria e udhëhequr nga Kurti “ia arriti vetëm një qëllimi: destabilizimin e veriut dhe shpërfaqjen e gjendjes mizerabël të qeverisjes aktuale”, tha ajo.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 dhjetor njoftoi se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është ndryshuar masa e sigurisë. Pantiqit, që ndodhej në paraburgim, tashmë i është ndryshuar masa e sigurisë në arrest shtëpiak.
Lajmin për Sinjalin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, tha Gashi.
E për këtë vendim, Musliu thotë se është vazhdimësi e gjunjëzimit të Kurtit.
“Dihet që është bërë si rezultat i gjunjëzimit të Albin Kurtit. Në kontekstin e gjithë ngjarjeve përgjegjësi kryesor për gjithë këtë poshtërim është Albin Kurti dhe këtë nuk mund ta kamuflojë as me deklaratat qesharake të Vjosës (Osmani), Albulenës (Haxhiu) dhe Donikës (Gëvalla)”.
“Sa më shpejtë që të shkojnë në shtëpi këta injorantë politik aq më mirë. Destruktivistë si këta nuk i duhen Kosovës as në opozitë”, u shpreh Musliu.
Derisa shton se qeverisja e “Qeverisja e tyre do të mbetet një pikë referimi në literaturë, si rast se si nuk duhet bërë politika dhe qeverisja”, tha Musliu.
Ndryshe, mëngjesin e sotëm ka nisur largimi i barrikadave në veri të Kosovës. Deri tani, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, është liruar pika kufitare në Merdare.