Profesoresha e drejtësisë, Gjylieta Mushkolaj, ka thënë se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani, ka probleme, por se sipas saj, minat që mund ta hedhin në erë shtetin janë hequr.
Ramadani publikoi ditë më herët draftin e Asociacionit, për të cilin pretendon se i është paraqitur kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në takimin e fundit në Bruksel.
Sipas ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, prej një ‘Zajednice’ drafti i Asociacionit e ka shndërruar këtë instrument në një mekanizëm multietnik për mbrojtjen e minoriteteve.
“Prej një Zajednice të garantuar me Ligjin prej vetëqeverisje lokale të vitit 2008, me të cilin është lënë hapësirë për madje edhe për lëkundje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës, drafti që ka rrjedhur në publik, e shëndërron këtë krijesë në një mekanizëm/organizatë multietnike për mbrojtjen e minoriteteve, të mbikqyrur në ushtrimin e secilit funksion nga Institucionet e Republikës së Kosovës. Asnjë debat, asnjë diskutim nuk është bërë para votimit të atij Ligji!
Nuk gjendet as sot asnjë dokument zyrtar i hartimit/negociimit të atij Ligji. S’ka Travaux préparatoires!!! Ka mbetë, megjithatë, transkripti i seancës së Kuvendit, për ta dëshmuar neglizhencën! Dokumenti ka ende shumë probleme, por minat që mund ta hedhin në erë shtetin tonë janë hequr”, ka shkruar ajo në Facebook.
Siç ka thënë Mushkolaj, “u deshën përpjekje e peripeti 15-vjeçare për të rikthyer Republikën në binarë, që ende janë shumë të brishtë”.