Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka theksuar sot se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrrell, dje nuk ka thënë se dialogu ka dështuar, por se ky raund i dialogut nuk ka sjellë rezultate, sepse palët nuk janë pajtuar.
Stano ka deklaruar për mediat se ky është një skenar që përsëritet vazhdimisht dhe ka theksuar se dje u pa se palët nuk po arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre.
Ai ka theksuar se BE-ja nuk është palë në dialog, se palët janë Kosova dhe Serbia dhe se BE-ja është ndërmjetëse.
“Me fjalë të tjera, ne ndihmojmë për të kapërcyer dallimet, por nuk do të kemi sukses derisa palët nuk janë të gatshëm për kompromis. Ne duam të ndihmojmë, por nëse ju doni të ndihmoni dikë dhe dikush nuk dëshiron të ndihmohet, çfarë mund të bëni?” , ka thënë Stano.
Ai po ashtu ka përkujtuar se Borrell dje i ka paralajmëruar edhe Serbinë edhe Kosovën se rrezikojnë të mbesin në një situatë ku të gjithë rreth tyre në rajon po bëjnë përparim në negociatat me BE-në, ndërsa ata po qëndrojnë në vend sepse dialogu është pjesë e negociatave për Serbinë dhe Kosovën.
Sipas tij, i dërguari special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do t’i informojë të gjithë anëtarët e BE-së për atë çfarë ka ndodhur dje, dhe pas një analize, anëtarët e BE-së do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas.
Ai ka pretenduar se dje ndërmjetësit evropianë nuk kanë parë se palët ishin të gatshme për kompromis dhe ka theksuar se pikërisht për këtë do të informohen anëtarët e BE-së, e që ata do të analizojnë në kuptimin e vendimit se çfarë hapash do të ndërmarrin në vijim.
Ai ka theksuar se pas përshkallëzimit në veri para verës, anëtarët e BE-së kanë vendosur masa, por gjithashtu ka thënë se gjithmonë ekziston mundësia e vendosjes së masave shtesë nëse ndonjë nga 27 anëtarët e BE-së nuk e sheh se është bërë mjaftueshëm për de-përshkallëzim apo provokon edhe më shumë.
“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për de-përshkallëzim, mund të futen masa shtesë, por edhe për palën tjetër, ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve, ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, ekziston mundësia që të shqyrtohet mundësia e vendosjes së masave shtesë”, ka thënë Stano./Botapress.info/