Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është deklaruar pasi Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Sipas tij, arrestimi i të tre policëve kosovarë është aksion i paramenduar i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Arrestimi i policëve të Kosovës në vijën kufitare me Serbinë është aksion i paramenduar i Vuçiqit. Vuçiq ka filluar politikën si megafon i luftës, ai mbijeton në politikë përmes armëve”, shkroi ai në Facebook/
Ai shtoi se “instrumentalizimi i policisë në shërbim të politikave ditore është taktikë e vjetër e liderëve autoritarë”.
“Pati ose jo çështje, figura e fortë do hekur e barot. Aksionet me video-incizime janë përditësimi bashkëkohor i kësaj zeje të vjetër. Incizimet janë masë stigmatizuese paragjyqësore. Kështu është edhe kur e bëjmë ne, në veri të vendit ose në Prishtinë”, shtoi i pari i PSD-së.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës”./Botapress.info/