Instituti i Mjekësisë Ligjore ku mbahen prova të rëndësishme për vdekjet e dyshimta në Kosovë, u përfshi nga zjarri dy herë brenda këtij viti dhe si shkaqe është përmendur rrjeti elektrik. Para dy ditësh, ishte rasti i fundit, ku një zyre u bë shkrumb e hi dhe u dogjën dokumente të ndryshme.
Teksa hetimet për këto incidente të zjarrit po vazhdojnë, është konfirmuar se Ministria e Drejtësisë ka dështuar të lidhë kontratë për mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit në këtë institucion.
Sinjali ka kërkuar nga MD arsyetimin për moslidhjen e kontratës dhe procedurat e zhvilluar për këtë proces që ka dështuar, si pasojë e siç kanë thënë nga ky dikaster, “ankesave nga një operator ekonomik”.
Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu nuk ka arritur që të gjejë zgjidhje për gati 2 vjet, pasi tashmë ka ndërmarrë pezullimin e aktivitetit të prokurimit.
“Lidhur me aktivitetin e prokurimit Servisimi, mirëmbajtjen dhe furnizim me aparate kundër zjarrit, detektor tymi, hidrantë të ujit, Ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë e ka publikuar disa herë këtë aktivitet të prokurimit, por ka qenë e pamundur të lidhet kontrata për arsye se kemi pasur ankesa nga një operator ekonomik i cili i ështëdrejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Ankesa e parë është bërë më datën 07.07.2022, gjatë fazës së tenderimit dhe si pasojë e kësaj, ne kemi qenë të detyruar ta pezullojmë aktivitetin e prokurimit bazuar në nenin 108/A pika 2, të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 dhe nenit 6, të Rregullave për parashtrimin ankesave të miratuar nga KRPP-ja.
Bazuar në vendimin e OSHP-së kemi qenë të obliguar të anulojmë procedurën e prokurimit dhe të bëjmë përmirësimin e specifikave teknike.”, thuhet në përgjigje.
Pas pranimit të vendimit të OSHP-së, MD ka deklaruar se këtë vit është formuar komisioni i hartimit të specifikave, i cili e ka bërë hartimin e specifikave teknike.
“Zyra e Prokurimit e ka përgatitur dhe dërguar për publikim njoftimin për kontratë me datën 30.03.2023. Më datë 02.05.2023 kemi pranuar përmes platformës elektronike E-prokurimi ankesën e operatorit ekonomik.”.
Ankesa, sipas MD-së është bërë në fazën e shpalljes së procedurës, prandaj nuk ka qenë mundësi për hapjen e ofertave.
“Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë pezullimin e aktivitetin të prokurimit bazuar në Neni 108/A pika 2, të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 dhe nenit 6 të Rregullave për parashtrimin ankesave të miratuar nga KRPP-ja.
Ankesa është adresuar në fazën e shpalljes së procedurës, e jo në fazën e përfundimit të aktivitetit. Si pasojë e kësaj nuk kemi pasur mundësi të bëjmë korrigjimin e procedurës, hapjen e ofertave dhe as të shtyjmë afatin e hapjes se ofertave.”/Botapress.info/