Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, të pyetur në mënyrë specifike për Kosovën, kanë thënë se s’janë në dijeni të ndonjë diskutimi për reduktim apo tërheqje të trupave amerikane, shkruan Gazeta Express.
Një zyrtar i lartë i Misionit të SHBA-së në NATO ka thënë për Gazetën Express, se edhe Sekretari i Mbrojtjes Hagseth në javën e kaluar ka thënë se s’ka pasur vendime që kanë të bëjnë me nivelin e trupave amerikane.
“Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë diskutimi, dhe siç e tha Sekretari Hegseth javën e kaluar nuk ka pasur vendime që kanë të bëjnë me nivelin e trupave”, ka thënë ky zyrtar i lartë i misionit të SHBA-së në NATO.
Ka qenë gazeta gjermane “BILD” që dje ka raportuar se institucionet e sigurisë evropiane janë të alarmuar për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Evropë. Kjo media e kishte përmendur në mënyrë specifike edhe Kosovën, duke thënë se Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Siç shkruante kjo gazetë, kjo do të çonte në një situatë ku aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan “kundër mikut të Putinit Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”.
Për çështjen e pranisë së trupave amerikane në Evropë ka folur të martën edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump. Në një konferencë për media, i pyetur nëse është i gatshëm t’i tërheqë trupat amerikane nga Evropa si pjesë e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës, Turmp ka thënë se askush s’i ka kërkuar që ta bëjë një gjë të tillë.
“Unë nuk mendoj se ne do të duhet ta bëjmë këtë. Unë nuk do të doja ta bëja këtë. Por kjo çështje nuk është ngritur kurrë” ka deklaruar Trump.
Sipas faqes zyrtare të KFOR-it, SHBA-ja ka në Kosovës 602 ushtarë dhe është një prej shteteve me numrin më të lartë të forcave./