Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se e ka miratuar kërkesën e Komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, për të dhënë dorëheqje nga pozita, pas rastit të raportuar më herët gjatë javës në këtë komunë, në të cilin ka vdekur 27-vjeçari Agon Zejnullahu.
“Ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe i është aprovuar”, ka thënë shkurt Hoxha në një përgjigje me shkrim.
Pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që e kanë ndaluar të ndjerin më 7 korrik u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, meqë dyshohen për kryeje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia”.
Rasti ka marrë vëmendje të konsiderueshme pasi nga pamjet e shpërndara në mediat sociale, që thuhet se janë nga rasti në Lipjan, viktima duket me duar të lidhura dhe në gjunjë, ndërsa më pas bartet me auto-ambulancë.
Policia ka thënë se Zejnullahu dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Mbrojtja e të pandehurve ka thënë më 9 korrik, pas seancës dëgjimore se nuk beson që zyrtarët e suspenduar kanë kontribuuar apo shkaktuar rastin e vdekjes.
Zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, kanë bërë thirrje për hetime dhe zbardhje të rastit.
Familja ka deklaruar se është e zhgënjyer me mungesën e deritashme të transparencës nga autoritetet.
Vëllai i viktimës, duke folur për disa media në Prishtinë më 8 korrik, tha se familjarët nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit “ka pasur shumë shenja dhe thyerje”.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si policia e ka menaxhuar rastin në Lipjan.
Ata kanë vënë në dyshim nëse policët e përfshirë kanë pasur trajnim të mjaftueshëm, pasi trajnimi i tyre në Kosovë është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj.
Ekspertët vlerësojnë se kjo periudhë e shkurtër trajnimi nuk është e mjaftueshme për të përballuar situata komplekse në terren.



Të tjera
Aktuale
Plagoset një 44 vjeçar në Skenderaj
Një person 44 vjeç ka mbetur
Aktuale
“A iu ofroi Kurti të merrni postin e Ministres së Arsimit”?, Osmani: Janë diskutuar këto gjëra…
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka
Aktuale
Pezullohet Dekreti për shpërndarjen e kuvendit, Qeveria: Presim që vendimi përfundimtar të sjellë qartësi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur